Kush ishte Aleksandër Hamilton, babai i Kushtetutës amerikane
Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës. Profil për një nga themeluesit më të shquar të shtetit amerikan Nga Albana Lifschin...
Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës. Profil për një nga themeluesit më të shquar të shtetit amerikan
Sipas historianit Geoffrey C. Ward “Hamiltoni ishte jo vetëm Sekretari ynë i parë dhe më i madh i Thesarit, por edhe i dyti, (pas Uashingtonit) përsa i përket kontributit në krijimin e vendit nga bashkimi i 13 shteteve antagoniste ”
Megjithëse fëmijëria e Aleksandër Hamiltonit të kujton tregimet e heronjve të varfër të Çarles Dikensit, ajo ndikoi në rritjen tek ai të një personaliteti të fortë, të vendosur për të kapërcyer vështirësitë e jetës e për të dalë mbi to. Ai ishte djali ilegjitim i një tregtari, fakt i cili nuk i dha asnjëherë Hamiltonit ndjenjën e inferioritetit. Në të kundërt, ai thoshte që “gjaku im është po aq i pastër sa edhe i atyre që mburren me paraardhësit e tyre.”
Që në rininë e tij Hamiltoni shfaqi aftësi të jashtëzakonshme në problemet financiare. Kjo i tërhoqi vëmendjen punëdhënësve të tij të cilët e dërguan në universitet. Gjatë viteve studenteske, në universitetin e Nju Jorkut që sot mban emrin Kolumbia, studenti Aleksandër Hamilton u bë njëkohësisht edhe përkrahës i revolucionit amerikan. Kur një besnik i mbretit anglez kritikoi Kongresin e Parë Kontinental, Hamiltoni shkroi dy pamflete të fuqishëm ku shpallte pikëpamjet e tij të cilat ishin për respektimin e të drejtave të kolonive amerikane nga Anglia, të drejta që ai i quajti “të shenjta”
Xhorxh Uashingtoni mbështetej në këshillat e Aleksandër Hamiltonit që nga stafi i gjeneralit mori shumë shpejt nofkën “luani i vogël’. Me gjithë devocionin për komandantin, Hamiltoni ishte i etur për lavdinë e tij private, të cilën sipas mendimit të tij, mund t’ia jepte vetëm beteja. Në fund të vitit 1781 ai u vu në krye të regjimentit të Nju Jorkut. Largimi i Hamiltonit nga shtabi i Uashingtonit krijoi një farë “thyerje” midis tij dhe gjeneralit, e cila u riparua pas mbarimit të luftës. Si komandant i regjimentit të Nju Jorkut, Hamiltoni u shqua në rrethimin e ushtrisë britanike dhe dorëzimin e saj falë taktikës së një komandanti të zgjuar siç qe ai.
Pas lufte, në korrespondencën e tij me njerëzit më me influencë të kohës Hamiltoni shprehte pikëpamjet e tij për një qeveri amerikane me pushtet qendror të fortë që do të siguronte forcimin e vazhdimësinë e vëndit. Mirëpo në mbledhjen për hartimin e Kushtetutës në Filadelfi (25 Maj 1787) Hamiltoni u zhgënjye kur pa që si rezultat i debateve, qeveria nuk do të ishte ajo që mendonte ai. Shumë delegatë, ndryshe nga ai, ishin kundër idesë së një qeverie të fortë federale pasi i trëmbeshin abuzimit që mund t’i bënte ajo pushtetit të saj në kurriz të shteteve të veçanta. Biografi i tij Nathan Schachner thotë se Hamiltoni e kishte të vështirë të bënte kompromis. Sipas tij, “ose e gjitha, ose asgjë.” Megjithatë Hamiltoni e la mënjanë pakënaqësinë e tij dhe sëbashku me Xhejms Medisonin dhe Xhon Xhejin shkruan 85 artikujt në gazetën “Federalisti” në mbështetje të Kushtetutës. Autorët shpjegonin pjesë të veçanta të saj për ta bërë atë të njohur e lehtësisht të kuptueshme nga njerëzit. Nga 85 shkrimet e botuara në gazetën “Federalisti”, 50 artikuj, duke përfshirë këtu edhe të parin fare, ishin shkruar nga Aleksandër Hamiltoni. Për këtë arsye shpesh Hamiltonit i referohen si “baba i kushtetutës” amerikane. Me fjalën e tij bindëse ai kontribuoi më shumë se kushdo tjetër për ratifikimin e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kur Hamiltoni filloi punën e tij në këtë post, shteti i ri amerikan i kishte rreth 11 milion dollarë borxh shteteve të huaja dhe reth 40 milion dollarë shtetasve të vet. Financat e vendit ishin në çrregullim të plotë. Ekonomia e shteteve te veçanta po përpiqej t’i përshtatej ndryshimeve që rezultuan pas indipendencës. Në postin e sekretarit të thesarit, Hamiltonit i u dha rasti të vinte në zbatim idetë e tij gjeniale që kishte ushqyer në mendjen e tij ndër vite. Hamiltoni besonte në forcimin e pushtetit qendror federal gjë që binte në kundërshtim me pikëpamjet e Tomas Xhefersonit, i cili qe sekretar i shtetit. Tomas Xhefersoni në të kundërtën, mendonte që zyrtarët federalë duhet të kenë sa më pak kontroll mbi shtetet e veçanta. Kjo mbeti një vijë demarkacioni midis dy kokave të shtetit.
Në janar të vitit 1791, Hamiltoni propozoi emetimin e një monedhe të vetme në rang kombëtar e jo siç kishte qenë deri atëhere, që çdo shtet kishte monedhën e vet. Hamiltoni ishte për vendosjen e tarifave mbi mallrat e huaja që hynin ne SHBA siç u shpreh ai ”për të mbrojtur industrinë amerikane”. Taksa shteti i ri vuri edhe mbi disa produkte në vend siç ishte uiski i cili shkaktoi rebelimin e disa fermerëve. Hamiltoni e bindi Uashingtonin që rebelimi duhej shtypur për t’i mësuar njerëzit të respektonin ligjin.
Para duelit ai i shkroi një letër të shoqes në të cilën në mes të tjerash i shkruante se”kjo letër do të bjerë në dorë vetëm në rast se unë do ndërpres karrierën time në këtë botë. Shpresoj të takohemi në një botë më të mirë”. Dueli midis Hamiltonit dhe Bërr-it është një nga faqet më të hidhura në historinë amerikane.
Ashtu sikurse Xhon Adamsi, Hamilton vdiq duke menduar se nuk kishte marrë mirënjohjen e vlerësimin e duhur për kontributin që i kishte dhënë vendit të tij.
Ishte 4 Korriku i vitit 1826, përvjetori i 50-të i Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës.
Ishte një përvjetor i madh që njerëzit e kishin pritur me emocion. Në mendjen e tyre vinte edhe një herë e gjallë ajo ditë kur baballarët e kombit u bënë bashkë e vendosën të shpallnin pavarësinë e 13 kolonive nga perandoria britanike e formimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas 50 vjetësh Amerika kishte krijuar historinë e saj dhe qytetarët ishin krenarë për vendin e tyre.
Xhon Adamsi ishte ai që insistoi që Tomas Xhefersoni, atë kohë më i riu i mbledhjes, të shkruante Deklaratën e Pavarësisë. Në përvjetorin e lavdishëm të dy këta burra të shquar ishin ende gjallë. Miq të mirë në rininë e tyre, më pas me formimin e partive u bënë armiq politikë, njëri ishte federalist dhe tjetri republikan. Në vitet e pleqërisë miqësia e vjetër u ktheu nostalgjinë e rinisë e mori një lulëzim të ri. Ata filluan t’i shkruanin pambarim njëri tjetrit. Korrespondenca e tyre mbi kujtimet e së kaluarës, është e mrekullueshme dhe ruhet si gurët e çmuar në arkivin e historisë së Amerikës.
Ndërsa dita e festimit të 50 vjetorit të pavarësisë po afrohej aktivitete festive ishin planifikuar në të gjithë Amerikën. Atë kohë presidenti SHBA ishte i biri i Xhon Adamsit, Xhon Kuinsi Adams (John Quincy Adams) të dy baballarët e vëndit u ftuan në festimet madhështore të përvjetorit të madh. Por Xhon Adamsi atë kohë ishte 91 vjeç, Tomas Xhefersoni ishte 83 dhe të dy burrat dergjeshin të sëmurë në shtratin e vdekjes: Xhon Adamsi në Masaçusets (Massachussets) dhe Tomas Xhefersoni në Virxhinia pa e ditur gjendjen e njëri tjetrit.
Në të gdhirë të datës historike, Tomas Xhefersoni pyeti nëse ajo ditë në kalendar shënonte 4 Korrik dhe pasi iu përgjigjën: “Po, është 4 Korrik”, ai ra në koma.
Në të njëjtën ditë po vdiste edhe Xhon Adams. I humbur në koma kur u zgjua fjalët e tij të fundit ishin: Tomas Xhefersoni… rron.
Xhon Adamsi vdiq në perëndim të diellit, pa e ditur se Tomas Xhefersoni kishte vdekur vetëm pak orë para tij.
Lajmëtari në kalë vrapoi në jug për të sjellë lajmin e hidhur që Z. Xhon Adamsi nuk ishte më. Ndërkohë lajmëtari nga Virxhinia mori drejt veriut me lajmin e hidhur që Tomas Xhefersoni kishte vdekur. Thuhet që të dy palët u takuan në Filadelfian historike për të shkëmbyer lajmet e hidhura, pikërisht në atë vend ku 50 vjet më parë të dy burrat e shquar shkruan faqen e lavdishme të një shteti indipendent.
Ulio:
This comment has been hidden from the blog.
rudi:
This comment has been hidden from the blog.
Philip:
This comment has been hidden from the blog.