Interesi publik dhe gara në PD

MENTOR NAZARKO    Nuk ka asnjë diskutim që midis dy kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike ka një garë. Domethënë që secili prej tyr...

MENTOR NAZARKO


  
Nuk ka asnjë diskutim që midis dy kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike ka një garë. Domethënë që secili prej tyre do dëshironte të bëhej kryetar i partisë më të madhe të opozitës tashmë. Me një fjalë, është krejt e sigurt se në garë janë ambiciet e dy individëve që kanë gëzuar mbështetjen më të madhe të kryetarit humbës të kësaj partie, në të gjitha situatat: si kur kanë humbur keqas në ballafaqime zgjedhore, si kur kanë fituar. Të dy janë të nënës, sipas një shprehjeje popullore, domethënë të dy janë shprehje më e epërme, më e qartë e preferencave të Sali Berishës për të promovuar dikë në lozhën e partisë së tij, që mbetet një parti personale dhe për këtë episod të fundit që po e quajmë garë. Janë njerëz që kanë qenë, janë dhe priten të jenë luajalë me të dhe me të afërmit e tij; që janë apo ngjajnë të suksesshëm në debate mediatike, qoftë në role agresive si Olldashi, qoftë në role të edukuara si Basha. Që kanë menaxhuar apo kanë aspiruar të menaxhojnë përgjithësisht të njëjtat feta pushteti si Punët e Brendshme, Transportet apo Bashkia e Kryeqytetit. Sigurisht, Basha është ndryshe dhe nuk është si Olldashi, një kopje e zbehtë e Berishës që ndërkohë është i paarritshëm kulturalisht prej të dyve. Basha ka ligjërim perëndimor, ka formim perëndimor, ka mbështetje perëndimore, ka karizëm brenda dhe jashtëpartiake, dhe me shumë gjasë do shkëputej shumë më shpejt prej modelit të konfliktit politik që në Shqipëri e ka instaluar Partia e Punës, e vijuar besnikërisht prej Berishës.
Pse themi që ka garë mes tyre, pavarësisht se të dy janë të “nënës” Berishë? Sepse nëse për Bashën dihet se është kandidatura e drejtpërdrejtë e Berishës, që u kujdes madje dhe në mes të fushatës për zgjedhje parlamentare të mendonte për veten nëpërmjet nderimeve në Londër dhe Prishtinë, Olldashi, brenda sfidës është imponuar me forcë. E ka bërë këtë me gjasë, pa dëshirën fillestare të Berishës, si shprehje njëkohësisht e një grupi tjetër interesi, klani apo ta quajmë si të duam, brenda PD-së që nesër nuk do ndihej i përfaqësuar nga Basha. Dimë për anëtarët kryesorë të kësaj lozhe, ish-ministra kryesisht, por nuk dimë realisht se kush tjetër qëndron pas Olldashit, në pikëpamje të interesave ekonomike, diçka normale në botën ku jetojmë. Me shumë gjasë Berisha do preferonte një kandidat tjetër të lehtë për beniaminin e tij. Nuk dimë me çfarë kartash është imponuar Olldashi apo kush qëndron pas tij, sepse PD-ja është një parti hermetike për shoqërinë shqiptare, por kjo është dukur qartë në veprimet e pazakonta që ka bërë Berisha për t’i treguar Olldashit respekt dhe paanshmëri në udhëheqjen e garës. Ka dhe plot veprime të tjera të Berishës ndërkohë që tregojnë frikën e tij për atë që përfaqëson Olldashi brenda PD-së, nëpërmjet udhëzimeve të çuditshme përjashtuese të atyre që janë me pushtet (?!) brenda PD-së, me ngrirjet e kryetarëve lokalë, me heshtjen e polemikave të forta midis palëve megjithëse në nivele të ulëta, etj., etj.
Gara brenda Partisë Demokratike do të duhej të ishte, megjithatë, një interes publik. Është interes publik se si do të përparojë demokratizimi i partive shqiptare; se si do të evoluojë debati politik në Shqipëri, se ç’lloj opozite e pret qeverisjen e ardhshme, elemente që përcaktohen ndjeshëm nga lloji i kandidatit që do të fitojë. Por ka disa momente që e bëjnë këtë ndeshje një lloj sfide brenda një mjedisi të mbyllur, me një numër të kufizuar shikuesish me bileta. Ani pse forma e zgjedhur e ballafaqimit, me parimin “një anëtar, një votë”, ngjan si forma më transparente dhe gjithëpërfshirëse e garës politike. Në këtë kuptim, kjo ndeshje, e cila e ka debatin në distancë, madje më shumë midis niveleve të dyta e më poshtë, dhe jo vetë garuesve, ngjan se nuk po prodhon dhe interesim publik.
Disa arsye
Së pari, mungesa e debatit real për shkaqet e gjendjes që e çoi PD-në në humbjen më të thellë të historisë së saj, madje në disa aspekte më të thellë dhe se sa humbja e 1997-s. Secili prej argumenteve të humbjes që po gjejnë dy kandidatët në endjen e tyre nëpër bastione demokratike janë qesharake në qasje. Sigurisht, kur ti ke humbur në një lojë, ke humbur prej kundërshtarit që fiton, s’ka rëndësi se si. Ama humb dhe prej gabimeve të tua, që s’po guxon t’i thuash. E di që kjo fjali ngjan si e thënë prej një aleati të PD-së, i shndërruar në autor virtual batutash të tilla. Por ama të thuash se ne humbëm se kundërshtari na e bëri me hile, është njëlloj qesharake në kushtet e kontrollit të plotë të zgjedhjeve nga qeveria. Madje, në identifikimin e shkaktarëve të humbjes jashtë vetes, ngjan se të dy garuesit janë brenda një skeme propagandistike burracake të Berishës. Ndërsa Basha thotë se e ka fajin PS-ja, pa e përmendur LSI-në, Olldashi e vë theksin kryesisht te LSI-ja. Të dy bashkë nuk guxojnë ta përmendin LSI-në në shikim kritik. Kjo shpreh frikën e Berishës, apo dhe shpresën e tij iluzore që nuk e braktis kurrë, se në një ndryshim në mes të mandatit të shumicës, qeverisja e së majtës mund të rrëzohet prej kalimit të LSI djathtas sërish. Në këtë përplasje të dy figurave që sot për sot shprehin berishizmin me më shumë besnikëri se të tjerë (madje Basha po rreket t’i afrohet dhe me ligjërimin agresiv), askush s’përmend, s’do të përmendë, s’guxon të përmendë se prapa këtij rezultati katastrofik të PD-së është një frymë masive popullore kundër Berishës. Sepse ky rezultat vërteton dhe drejtësinë e rezultatit të zgjedhjeve të ‘97-s, dhe manipulimin e zgjedhjeve të 2009-s apo të 2011-s. Pse do humbte PD-ja me të njëjtin rezultat me ‘97-n? Si ka mundësi që PD ra kaq shumë prej rezultatit të 2009-s dhe 2011-s? Prej analizës së kësaj fryme kritike popullore buron debati real. Populli në këto zgjedhje, të cilat kanë pasur disa skenarë manipulimi, është kujdesur që të votojë aq shumë kundër Berishës, në disa alternativa, në mënyrë të tillë që rrëzimi i tij të sigurohej, njëjtë si më 1997-n, kur me gjasë shumica votoi pro monarkisë si rrugë alternative dhe për largimin e Berishës. Ndryshe s’ka se si shpjegohet rritja e partive të vogla, majtas dhe djathtas, rritja e LSI-së, braktisja e qeverisë prej administratës së vet, rrëzimi i bastioneve kudo etj., etj. A do ta duronte autori i kësaj gare, skenaristi dhe regjisori i saj, të vendosej në qendër të kritikave, të një debati real? A mund ta lejonte Berisha një debat të tillë, i cili do ta vinte gishtin pikërisht tek ai, te këmbëngulja e tij për ta mbajtur pushtetin në forma të ngjashme me ato të vendeve ku s’ka zgjedhje brenda partive qeverisëse, brenda forumeve të tyre, e për pasojë dhe zgjedhjet e parashikuara nga ligji s’janë asfare demokratike? Nuk është argument as se një zgjedhje kësisoj e argumenteve është bërë për të mos dekurajuar bazën e PD-së, militantët, për të mos i dëshpëruar ata. Nëse është kështu, kjo garë mbetet e tillë vetëm për brenda PD-së, dhe jo për publikun jashtë saj, i cili nuk ka shqetësime të njëjta me të Berishës apo të militantëve të PD-së.
Kjo garë e konceptuar kështu prej vetë Berishës nuk po krijon interesim publik për shkak të mungesës së platformave të kandidatëve, analizës alternative të shoqërisë, të politikës, të shtetit prej tyre. Mungon vizioni jashtëpartiak. Mungon dhe përmendja e tjetrit, me përjashtim të rasteve kur gazetarët insistojnë t’i pyesin rreth rivalit.
Nuk është interesante një garë në të cilën thuhet se partia ka nevojë për të dy dhe se fituesi do ta ketë humbësin për zëvendës. Sado demokratike të duket, kjo ide u shpreh për herë të parë në një garë të PS-së nga Meidani përballë Ramës më 2005-n. Atëherë, brenda kongresit socialist kishte garë reale, me platforma përkatëse, dhe lideri historik Nano (siç e quajti vetë Berisha) ishte jashtë garës në shumë kuptime, megjithëse në një moment të kongresit u tha se u bë gati të mbathte opingat e garës nëse kryetari do të zgjidhej me parimin ”një anëtar, një votë”.
Në kushte të tilla, ndeshja Basha-Olldashi, me gjithë agonizmin e ndrydhur të garuesve, me shumë gjasë mund të mos ketë as numërim të drejtë të votave. Kur s’kemi numërim të drejtë të votave për Parlamentin, me gjithë detyrimet ligjore, si mund të kemi brenda një partie politike ku s’të ndëshkon askush për manipulime? Megjithatë, për këtë s’flasim dot me siguri, sepse mbase atëherë do të shikojmë garën apo sherrin e vërtetë….

A nuk janë mjaft këto arsye për të kuptuar pse kjo garë nuk po prodhon interesimin e duhur publik? A nuk është për keqardhje fakti se PD, që duhej t’u printe proceseve modernizuese të shoqërisë, të politikës, edhe në momente solemne, siç është zgjedhja e pasardhësit të kryetarit të historisë së humbjeve, po prodhon shfaqje si kjo aspak spektakolare, aspak kuptimplota për jetën e të gjithëve ne? A nuk ngjan kështu mjerisht kjo garë, premisë e një humbjeje të re, apo e procesesh të reja që do ta ridimensiononin partinë e parë të pluralizmit shqiptar?

Related

Opinione 7678958431897793967

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

item