Pse fitoi LSI, humbi PD dhe nuk fitoi PS, nga KASTRIOT ISLAMI
KASTRIOT ISLAMI Arsyet e rezultatit zgjedhor të 23 qershorit 2013 janë pa dyshim të shumta dhe duhen evidentuar e analizuar në mënyrë racion...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/07/pse-fitoi-lsi-humbi-pd-dhe-nuk-fitoi-ps.html
KASTRIOT ISLAMI |
Arsyet e rezultatit zgjedhor të 23 qershorit 2013 janë pa dyshim të shumta dhe duhen evidentuar e analizuar në mënyrë racionale e pa subjektivizëm. Theksimi i disa prej tyre apo vendosja në një listë sipas rëndësisë apo peshës është një çështje që kërkon objektivitet dhe duhet bërë mbi bazë kriteresh të qarta. Sidoqoftë, në morinë e argumenteve të artikuluara deri më sot dallohen disa që janë më “të veçanta” në kuptimin që shfaqen për herë të parë, dhe disa të tjera që janë më “klasike”, në kuptimin që priteshin apo shfaqen të përsëritura. Zbatimi për herë të dytë i sistemit zgjedhor ka nxjerrë në pah një tendencë të re që meriton vëmendje: Rritja e numrit të deputetëve apolitikë, të ardhur nga jashtë sistemit të karrierës politike, me kostumin e partive kryesore apo periferike, duke vënë në përdorim mjete të konsiderueshme financiare dhe teknologji jokonvencionale, ka pasur ndikim të ndjeshëm në rezultatin zgjedhor e me shumë gjasa në funksionimin e balancat e Kuvendit të ardhshëm. Gazeta amerikane “Huffington Post”, lidhur me këtë tendencë të re të sjelljes jokonvencionale në fushatën elektorale, dhe me shumë gjasa në Kuvendin e ardhshëm, shkruan se “…Me koston e një fushate që ka shkuar në miliona, Rama ishte i detyruar të kërkonte ndihmë nga biznesmenë të ndryshëm, të pasuruar në forma të dyshimta, të cilët do t’i kërkojnë një rikthim të fuqishëm të investimit të tyre”.
1. Parashikueshmëria.
Përmasa e rezultatit ishte e paparashikueshme…. Asnjë nga sondazhet e paraqitura publikisht deri më 17 qershor 2013 nuk e parashikoi dot rezultatin e thellë të 23 qershor 2013. Pra, një javë para zgjedhjeve, përveç deklaratave euforiko-motivuese të drejtuesve të të gjitha partive për fitore spektakolare, të gjithë parashikonin dhe prisnin një rezultat të ngushtë, nga 71 me 69 për aleancën e djathtë në 73 me 67 për aleancën e majtë. Argumenti se ky apo ai sondazh kishte kaq apo aq votues të pavendosur, është veçse argument në favor të tezës se një javë para zgjedhjeve askush nuk e parashikonte dot atë që ndodhi dhe me shumë gjasa gjithçka ka ndodhur veçse në javën e fundit. Pra, e thënë më shkoqur, “kapërcimi i befasishëm” apo “i pritshëm”, me sa duket ka ndodhur javën e fundit, ndoshta nga të pavendosurit apo edhe për shkaqe të tjera, vetvetiu apo e nxitur me të gjitha teknologjitë, me hop “surprizë” apo në vijim të një kurbe tashmë “ngjitëse”; të gjitha këto mbeten për t’u provuar, në shkallë kombëtare e lokale, krahasuar në kohë dhe hapësirë.
2. “Kimia” e marrëdhënieve midis PD e LSI, përcaktuese e rezultatit zgjedhor
PS në opozitë tetëvjeçare nuk arriti të rriste as përqindjen e votave dhe as numrin e mandateve, pra hyri dhe doli nga “reaksioni zgjedhor” pa ndryshuar. Rezultati i 23 qershorit evidentoi një rritje mbi dy herë në përqindje dhe katër herë në mandate për LSI, në shkallë kombëtare, krahasuar me 2009-n, ndonëse LSI kishte qenë në qeverisje me PD në vitet 2009-2013 dhe kaloi në koalicion zgjedhor në 2013-n me PS; kjo lëvizje i dha mundësi të dilet nga ky reaksion me një masë më të madhe, katër herë më të madhe, se sa hyri në reaksion. Ky lloj bashkëveprimi dëmtoi vetëm PD, e cila u “rrudh” me mbi 9 për qind dhe rreth 20 mandate. Nga ky këndvështrim duket se një nga faktorët e rëndësishëm që ka përcaktuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve është “kimia” e marrëdhënieve të PD me LSI, par e dy “copëzave” të pushtetit, njëra prej të cilave kaloi në opozitë dhe tjetra qëndroi në pushtet duke u rritur në kurriz të copëzës që kaloi në opozitë. Në realitet, kjo marrëdhënie e zhvendosi të gjithë konkurrimin elektoral në terrenin pragmatist. Po t’i shtosh ofertës pragmatiste të LSI edhe komponentin jokonvencional të PS e LSI, votuesit e lëkundur të PD rezultonin shumë vulnerabël në këtë treg ofertash.
3. Radikalizmi përballë pragmatizimit.
PS rezultoi jo fituese për shkak të radikalizmit dhe e majta fitoi nga pragmatizmi i LSI. PS në opozitë prej tetë vjetësh nuk arriti në shkallë kombëtare të rriste as përqindjen e votave dhe as numrin e mandateve; kjo për shkak të aplikimit të një opozitarizimi me tipare radikale në frymë dhe veprime në terren. Rezultati i 23 qershorit evidentoi një rritje mbi dy herë në përqindje dhe katër herë në mandate për LSI, në shkallë kombëtare, krahasuar me 2009-n, ndonëse LSI kishte qenë në qeverisje për katër vjet me PD; kjo për shkak të pragmatizimit të LSI. Pragmatizmi i LSI arriti të “gërryente” ekstremisht PD, me mbi 9 për qind dhe rreth 20 mandate në shkallë kombëtare, por edhe PS në shumë qarqe e rrethe (qarqet Berat me 5.33%, Gjirokastër 8.12% dhe Kukës 4.24% dhe arritur rekordin në rrethin e Gjirokastrës, me 12.88%).
4. Politika përballë sjelljeve jokonvencionale…
Mund të jepen shumë arsye për të shpjeguar përmasën e fitores, por nga analiza e të dhënave rezulton se të gjithë kandidatët nga biznesi, të vegjël a të mëdhenj, në numër të konsiderueshëm e mjete të fuqishme financiare (të rregullta apo “të dyshimta”), prezentë pothuajse në të gjitha qarqet, individualisht apo nën siglën politike të një partie të rëndësishme apo periferike, shumë më tepër nga Aleanca për Shqipërinë Europiane, duke përshtatur një sjellje (a)politike e jokonvencionale, kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në përmasën e fitores së zgjedhjeve 2013. Kjo lloj sjelljeje ka pasur për efekt “gërryerjen” e votave nga ato formacione që ruajtën formatin e qasjen politike e nuk përshtatën një qasje konkurruese të ngjashme apo simetrike jokonvencionale.
5. Sjellje “maxhoritare” kundrejt sistemit proporcional…
Legjitimiteti i sistemit zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura është dëmtuar sepse shumë nga kandidatët apolitikë, duke përdorur mënyra e mjete jokonvencionale, janë sjellë sikur sistemi të ishte maxhoritar. Kjo sjellje e aplikuar kryesisht nga PS e disa parti përbërëse të ASHE, ka dëmtuar kryesisht PD. Në disa raste, në varësi të raportit reciprok të intensiteteve të përdorimit të kësaj sjelljeje, janë dëmtuar PS (në 6 qarqet, Berat, Elbasan, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e Vlorë) nga LSI e parti të tjera apo LSI (në rrethet Krujë e Peqin) nga PS e parti të tjera.
6. Fluktuacionet pragmatiste/apolitike në qark, rreth, njësi vendore…
Fluktuacionet pragmatiste/apolitike qartësohen e theksohen kur analiza kalon nga niveli i qarkut në atë të rrethit, komunë/bashkisë e atë të qendrës së votimit. Analiza e këtyre fluktuacioneve jep mundësi të “lokalizohen” me saktësi gjithnjë e më të lartë vendndodhjet dhe intensiteti i veprimeve pragmatiste e jokonvencionale. Konkretisht, në nivel qarku, LSI rritet në 2013-n krahasuar me 2009-n në të 12-të qarqet, PD zvogëlohet në të 12-të qarqet, kurse PS rritet në 6 qarqe dhe zvogëlohet në 6 të tjera. Kurse në nivel rrethi, PD vazhdon të shfaqet e zvogëluar në të 36-të rrethet, ndërkohë që LSI shfaqet e rritur në 34 qarqe dhe vetëm në 2 prej (Peqin e Krujë) tyre është e zvogëluar. PS shfaqet e zvogëluar në 17 rrethe dhe e rritur në 19 prej tyre. Kjo situatë bëhet edhe më e dukshme në nivel komune/bashkie apo të qendrës së votimit.
7. Tregu i ofertave të subjekteve elektorale…
Dy blloqet kryesore, APMI dhe ASHE, paraqitën oferta konkurruese të ndryshme, madje brenda ASHE, LSI dhe pjesa tjetër e koalicionit e drejtuar nga PS paraqitën oferta relativisht të ndryshme e madje konkurruese midis tyre. Tre janë tipat e ndryshëm të këtyre ofertave: i) politik (PD); ii) radikalo-jokonvencional (PS) dhe iii) pragmatist-jokonvencional (LSI); gjurmë të secilës prej këtyre sjelljeve mund të gjenden edhe te PD, PS e LSI, por edhe te aleatët e tyre. Nga analiza e rezultateve zgjedhore rezulton se oferta pragmatiste-jokonvencionale (LSI) ka qenë më e suksesshmja (LSI është rritur në vitin 2013 në krahasim me vitin 2009 në shkallë kombëtare dhe në të gjitha qarqet). Oferta radikale-jokonvencionale ka qenë pjesërisht e suksesshme (ASHE-LSI është rritur në vitin 2013 në krahasim me vitin 2009 në 6 qarqe dhe është zvogëluar në 6 qarqe të tjera). Dhe oferta thjesht politike e PD ka rezultuar humbëse pothuajse kudo (APMI në të gjithë qarqet është zvogëluar).
8. LSI – pragmatiste e jokonvencionale, pothuajse kudo fituese…
LSI, duke lëvizur nga koalicioni qeverisës me PD e kaluar në koalicionin opozitar me PS, dhe duke krijuar idenë se LSI është forcë përcaktuese e krahut fitues, rriti në mënyrë të konsiderueshme aftësitë “thithëse” për pragmatistët. Kombinimi i kësaj oferte me kandidatë jokonvencionalë shtoi shanset për rritjen e numrit të mandateve ose së paku mbrojtjen nga “gërryerja” prej PS me të cilën LSI ishte në koalicion, por që ishte njëkohësisht në konkurrim sepse edhe PS kishte përshtatur po ashtu një qasje jokonvencionale. Kjo shpjegon përse LSI në nivel qarku ka rritje në 12 qarqet, rritje që vjen vetëm nga PD në 6 qarqe (Dibër, Durrës, Fier, Korçë, Tiranë e Shkodër) dhe rritje që vjen edhe nga PD, edhe nga PS në 6 qarqet e tjera (Berat, Elbasan, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e Vlorë). Kjo tezë vërtetohet po t’u referohemi edhe rezultateve në nivel rrethi; përveç dy rretheve, Krujë e Peqin, ku oferta pragmatiste-jokonvencionale e LSI nuk siguron dot rritje të votave për shkak të veprimit më intensiv jokonvencional të Aleancës Arbnore në Krujë dhe atij të PDIU në Peqin.
9. PS, radikale dhe jokonvencionale, pjesërisht fituese dhe pjesërisht humbëse…
PS, gjatë të gjithë mandatit 2009-2013 kreu një veprim opozitar destruktiv në planin e brendshëm dhe bllokues për procesin e integrimit. Kjo sjellje shpjegon përse në nivel kombëtar PS nuk parti rritje as në përqindje dhe as në mandate, pra nuk ka ekzistuar asnjë lloj fryme fitoreje për PS. Futja në ekipin e PS të kandidatëve me sjellje jokonvencionale shpjegon pjesërisht përse në nivel qarqesh PS ka rritje në një pjesë të qarqeve dhe rretheve; konkretisht, PS ka ulje të rezultatit në 6 qarqe, rritje në 6 qarqe të tjera dhe e njëjta situatë paraqitet edhe në nivel rrethi. Në realitet, votuesit e lëkundur të PS, për shkak të mungesës së frymës së fitores e të mbrojtjes jokonvencionale, si dhe të ndodhur përballë ofertës pragmatiste dhe/ose jokonvencionale të LSI, kanë preferuar të votojnë për LSI. Konkretisht, në 6 qarqet, Berat, Elbasan, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e Vlorë, dhe në 19 rrethe, “gërryerja” e PS ka ardhur vetëm nga oferta e LSI dhe mungesa e frymës së fitores për PS.
10. PD, as pragmatiste dhe as jokonvencionale, pothuajse kudo humbëse…
Të gjitha forcat politike kanë votues të lëkundur, kjo është një sjellje tipike e një pjese të votuesve në këtë fazë të demokracisë, që cilësohet si “demokracia e votuesve konsumatorë”. Votuesit e lëkundur të PD ishin më të “sulmuarit” në tregun e “sjelljeve” të vjetra e të reja të konkurrimit elektoral. Më tërheqësja ishte LSI, e cila krijoi idenë e forcës fituese dhe përcaktuese; për rrjedhojë, oferta pragmatiste e LSI për votuesit e lëkundur të PD ishte interesante dhe joshëse. PS radikale nuk ishte ofertë tërheqëse për votuesit e lëkundur të PD. Por ofertat jokonvencionale të LSI e PS, për votuesit e lëkundur, sidomos ato në nevojë të PD, me sa duket ishin relativisht të parefuzueshme; pra për ta këto nuk përbënin çështje morali, por thjesht çështje çmimi. Konkretisht, votuesit e lëkundur të PD janë tërhequr vetëm nga oferta e LSI në qarqet Berat, Elbasan, Gjirokastër, Kukës, Lezhë dhe Vlorë. Kurse në qarqet e tjera, Dibër, Durrës dhe Shkodër, votuesit e lëkundur të PD janë tërhequr edhe nga ofertat jokonvencionale të PS. Uljen më të vogël aleanca e djathtë APMI e ka pasur në rrethet Krujë, Kurbin, Tropojë dhe Peqin, ku ofertat pragmatiste e jokonvencionale të aleancës së majtë janë “balancuar nga ofertat jokonvencionale të APMI, kryesisht të aleatëve të saj.
11. Në vend të përfundimit…
PD është në opozitë. PS nuk rezulton fituese kryesisht për shkak të frymës radikale të aplikuar gjatë katër vjetëve në opozitë. Fituesit e “mëdhenj” të këtyre zgjedhjeve janë pragmatizmi dhe politikanët jokonvencionalë. LSI ishte e suksesshme sepse jo vetëm kombinoi ofertën pragmatiste me atë jokonvencionale për votuesit e lëkundur, kryesisht të PD, por edhe të PS, por edhe krijoi besimin e forcës fituese e përcaktuese. Bashkimi i LSI me PS krijoi për votuesit e lëkundur të PD idenë e humbjes për forcën e tyre, ndërkohe që për shkak të radikalizmit ato nuk mund të shkonin te PS, por një pjesë e tyre mund të shkonin te LSI për shkak të pragmatizimit. Sjellja jokonvencionale, e fuqishme nga PS dhe e konsiderueshme nga LSI, rriti përmasën e fitores së aleancës së majtë duke tërhequr votuesit e lëkundur, në nevojë, të PD, të cilët kriza ekonomike me sa duket i kishte bërë edhe më vulnerabël.