Vendet më romantike për relaks të paharrueshëm
Nëse dëshironi të kaloni një verë të paharrueshme në çift apo një muaj mjalti të mrekullueshëm, ne po ju sugjerojmë disa prej qyteteve më ro...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/07/vendet-me-romantike-per-relaks-te.html
Nëse dëshironi të kaloni një verë të paharrueshme në çift apo një muaj mjalti të mrekullueshëm, ne po ju sugjerojmë disa prej qyteteve më romantike në botë
Pushimet
Roma
Nëse flasim për vendet romantike të Italisë, të parin e zë Roma. Duke qenë se është një qytet i madh, ai ofron vende të ndryshme për të dashuruarit që janë në kërkim të atyre pamjeve që u bëjnë t’u rrahë zemra fort. Një nga vendet më romantike të këtij qyteti është parku “Savello”, apo i njohur ndryshe me emrin “Kopshti i Portokajve” nga ku mund të shijohet, në mes të gjelbërimit, një pamje e shkëlqyer e gjithë qytetit. Kopshti është i hapur nga mëngjesi deri në mbrëmje, orar ky i cili është orari më i mirë për ta shijuar pamjen bashkë me gjysmën tuaj.
Napoli
Një qytet tjetër i madh që ofron peizazhe magjepsëse romantike është Napoli, ku “takimi” i detit dhe i malit, në majë të malit Vezuv, është një skenografi e mrekullueshme për takime dashurie. Ndërkaq është e pamundur të mos ndaloni dhe të admironi Gjirin e Napolit.
Venecia
Nuk mund të flitet për vende romantike në Itali pa përfshirë Venecian, ikonën e romanticizmit “Made in Italy” në botë. Ju mund të kaloni nëpër një numër të madh rrugicash, duke marrë një taksi uji apo duke bërë xhiron klasike me gondola. Venecia mund t’u dhurojë mijëra emocione dy të dashuruarve. Për të shmangur ndonjë gjë të papëlqyeshme për momentin tuaj të shumëpritur, këshilla është që të dilni natën, kur madje mund të dëgjohet edhe zhurma e ujit të kanaleve.
Verona
Duke shkuar nga një qytet i dashurisë te tjetri nuk mund të mungonte Verona, vendi i zgjedhur nga Uilliam Shekspir për të zhvilluar një nga historitë e dashurisë më tragjike në botë, të famshmen Romeo dhe Zhulieta. Siç ndodh shpesh, historia dhe legjenda ndërthuren aq shumë me njëra-tjetrën saqë nuk dallohet dot se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, kjo vlen edhe për luftën e dashurisë mes Romeos dhe Zhulietës. Nëse është apo jo shtëpia e vërtetë ku ka jetuar Zhulieta, është e vështirë të mos emocionohesh nga pamja e ballkonit, nga ku ajo dhe Romeo i premtuan njëri-tjetrit dashuri të përjetshme dhe nga ku vendosën të martoheshin fshehurazi.
Firence
Firence nuk është vetëm një nga qytetet më të pasura të artit të Italisë, por edhe nga më romantiket. Ju mund të bëni një shëtitje në kopshtin Boboli, prej të cilit mund të mbeteni të shastisur nga bukuria e shpellës së Buontalentit ose ajo e bimëve. Shëtitja mund të mbarojë në mbrëmje me pamjen e mrekullueshme të Ponte Vecchios. Në këtë urë ju do të gjeni edhe artistë që, nëse do të dëshironi, do t’i këndojnë dashurisë suaj apo do të gdhendin momentin magjik me punime artistike të ndryshme.
Parisi
Duke dalë jashtë kufijve të Italisë, një ikonë e vërtetë e romanticizmit në botë është padyshim Parisi, në sajë të një prej atraksioneve të saja kryesore, siç është kulla Eifel. Parisi është qyteti i të dashuruarve me ushqimin e mirë, verën dhe atmosferën e tij të mrekullueshme. Darkoni nën dritën e qirinjve përballë kullës Eifel, shëtisni në Champs Elysees dhe shkoni për një piknik në park. Parisi është një romancë e vërtetë dhe për shekuj me radhë ka mrekulluar çiftet.
Nju Jorku
Megjithëse më së shumti njihet për “seksin” sesa për “dashurinë”, Nju Jorku ofron edhe vende romantike për ata të cilët janë në kërkim të tyre. Tarracat e ndërtesave dhjetërakatëshe janë vendet më ideale për deklaratat e dashurisë apo për propozimet për martesë. Po kështu, ju nuk mund t’u qëndroni indiferentë edhe mbrëmjeve në traget, duke parë në distancë dritat e qytetit. Përveç këtyre, një gjë shumë romantike është të kaloni urën e Bruklinit duke u mbajtur ëmbëlsisht prej dore dhe të admironi lumin Lindor dhe ishullin e Manhatanit.
Ujëvarat e Niagarës
Ujëvarat e Niagarës janë një vend tjetër romantik që ju garanton momente emocionuese dhe kujtime të paharrueshme. Të veshur me “armaturën” e caktuar për ujin, ju nuk mund t’i rezistoni “Maid of the Myst”, një varkë që ju çon fare pranë tri ujëvarave kryesore: Horseshoe Falls, American Falls dhe Bridail Veil Falls. Por nëse preferoni të qëndroni mbi tokë, atëherë ju mund të shijoni pamjen që nga kulla e vëzhgimit, e cila është vendosur përgjatë lumit, ose të zbrisni 300 shkallët që ju çojnë poshtë ujëvarës Bridail Veil Falls. Qoftë ditën apo natën, ujëvarat e Niagarës do t’ju bëjnë t’i dashuroni me romanticizmin e tyre.