TROJA përballë të vërtetave
Na ishte një herë një boksier me emrin Rocky, sportivisht i pamposhtur dhe seksualisht mashtrues, që kishte dy të dashur: një grua (Britney)...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/07/troja-perballe-te-vertetave.html
Na ishte një herë një boksier me emrin Rocky, sportivisht i pamposhtur dhe seksualisht mashtrues, që kishte dy të dashur: një grua (Britney) dhe një burrë (Patrick). Trekëndëshi vazhdoi gjatë pa probleme. Më pas, një ditë, shokët e palestrës i morën Britneyn, për arsye që do të duhej shumë kohë të shpjegoheshin. Rocky, i zemëruar, u tërhoq në jetën private. Dhe palestra, mbi të cilën kish ngritur themelet i gjithë prestigji i tij, filloi të shkatërrohet. Shumë herë tifozët dhe kolegët iu lutën kampionit që të rikthehet, por më kot. Deri kur një mbrëmje ndodhi e papritura: Patrick, i hipur në ring për të zëvendësuar gjatë një ndeshjeje mikun e tij të ndjeshëm, përfundoi knock out. Jo vetëm kaq, po aty humbi edhe jetën. Kur Rocky mori vesh për lajmin fillimisht u dëshpërua, më pas reagoi dhe vendosi të rikthehet në ring për t’u hakmarrë për mikun e humbur. Hipi në ring, u përball me boksierin që kishte shembur në tapet Patrickun, luftoi në mënyrë shumë të ashpër, e shtyu kundërshtarin tek litarët dhe e shembi përtokë me një goditje të shënjestruar mirë. Dhe kur tjetri u rrëzua, ai vazhdoi ta godasë, kundër rregullave. Fundi i ndeshjes (dhe i telenovelës).
Rrëfimi i mësipërm nuk është skenari i një serie televizive, as i një filmi me Silvester Stalonen, por një përmbledhje e Iliadës, ndonëse pakëz e përshtatur. Kundërprova: ndryshoni emrin Britney me Briseida, më pas Patrick me Patrokël dhe Rocky me Akil; tani zëvendësoni fjalën boks me luftë, më pas fjalën palestër me ushtri dhe ndeshje me duel, e në fund fjalën ring me fjalën fushëbetejë. Et voila! E reduktuar, pikërisht kjo është poema e Homerit: një histori gjaku dhe pasionesh, rikthimesh dhe xhelozish, dhune dhe joshje.
E vërteta është që Iliada, prototipi i të gjithë poemave epike të Perëndimit, pavarësisht titullit nuk rrëfen aspak Luftën e Ilios (sinonim i Trojës), por vetëm një fazë shumë të kufizuar të konfliktit: vetëm 51 ditë, për një total prej 4 betejash dhe 6 duelesh. Pra, pothuajse asgjë, po të mendosh që sipas legjendës, historia e Trojës zgjati njëzetë vjet (10 vjet përgatitje dhe 10 vjet luftime). Në mënyrë të veçantë, mbeten jashtë rrëfimit të Homerit si prologu i luftës (i ashtuquajturi gjykimi i Paridit), ashtu edhe epilogu i saj (kali i Trojës).
Atëherë, nga burojnë të gjithë detajet “trojanë”, aq të dashur për traditën homeriane? Duhet thënë mbi të gjitha se Iliada ishte një pjesë e një cikli prej tetë poemash. Dy prej tyre i njohim: Iliada dhe Odisea, që rrëfen rikthimin në shtëpi të Uliksit. Gjashtë të tjerat, në pjesën më të madhe të humbura, titulloheshin Qipria, Etiopidi, Iliada e Vogël, iliu persis, Nozoi dhe Telegonia. Shumë të rëndësishme ishin Qipria, ndoshta vepër e një farë Stasini, nga e cila mbeten vetëm 50 vargje dhe një përmbledhje që të lejon të rindërtosh përmbajtjen. Ndoshta duke nisur që këtu duhet riparë dhe historia e Trojës.
Gjithçka nis në Olimp, ku në një ditë të papërcaktuar në filimet e kohëve festohej martesa mes Peleut, mbret i Ftias (në Thesali, pra në veri të Greqisë) dhe nimfa shumë e bukur e detit, Teti. Është një ceremoni e çuditshme, që sheh një konkurs të përzier mes njerëzish, perëndish dhe gjysmëperëndish. Në fakt Peleu është një njeri, por gjithësesi është pasardhës i largët i Zeusit, ati i të gjithë perëndive. Ndërsa Teti, ajo ka në vena gjak blu ende të pastër, sepse është bijë e Poseidonit, perëndia i deteve. Të dy nuk e dinë, por nga bashkimi i tyre do të lindë Akili, superheroi i grekëve.
Megjithatë, përpara Akilit, nga martesa e Peleut me Tetin lindi një grindje mes perëndeshave, shkëndija që më pas do të ndizte Luftën e Trojës. Në fakt mu në mes të festës ndërhyn Eris, perëndesha e mosmarrëveshjeve, e cila nuk ishte ftuar të vinte, dhe për t’u hakmarrë hedh një mollë të artë, mbi të cilën ka shkruajtur: “Për më të bukurën”. Tre perëndesha u hodhën menjëherë të merrnin mollën: janë Hera, Athinaja dhe Afërdita. Rrezikohet të plasë sherri, por ndërhyn Zeusi për ta bllokuar: “Se kush është bë e bukura mes perëndeshave”, thotë, “këtë do ta vendosë më i bukuri i njerëzve”.
Dhe këtu hyn në skenë Paridi, biri i mbretit të Trojës, Priamit: një mashkull i bukur, që emërohet kështu gjykuesi i madh i këtij edicioni të parë të Miss Universit. Verdikti i tij: Më e bukura është Afërdita. Por, konkursi është i trukuar: në fakt, perëndesha, në këmbim të votës së tij, i ka premtuar Paridit gruan më të bukur të botës: Helena, gruaja e mbretit të Spartës, Menelaut. Morali: i ndihmuar nga Afërdita, biri i Priamit ftohet në shtëpinë e Menelaut, josh Helenën dhe e merr me vete. Për t’u hakmarrë, bashkëshorti mbledh të gjithë grekët. Dhe me ta sulmon Trojën.
Jemi ende në prolog, por që këtu ravijëzohen disa elemente që do t’i gjejmë edhe tek Iliada. Një, mbi të gjithë bie në sy: Olimpi duket oborri i një shtëpie të rrëmujshme, dominuar nga një baba-kumbar, Zeusi dhe i populluar nga perëndesha thashethemexhie që i kushtohen vetëkënaqësisë, zilisë dhe inateve reciproke. Me Iliadën, grindjet mes perëndeshave do të rriten, deri sa ta ndajnë Olimpin në dy grupe, njëri kundër tjetrit, të armatosur. Grupi filogrek do të mbledhë shumë shpejt Herën dhe Athinanë, ndërsa ai filotrojan Apollonin, Aresin dhe natyrisht Afërditën, nidhmuesja e Paridit.
Si mund të vlerësohen vargjet e Qipria? Natyrisht, ne njerëzit modernë nuk mund të japim gjykime letrarë për një tekst që nuk e njohim përveçse disa vargjeve. Mund të kujtojmë vetëm që, 24 shekuj më parë filozofi Aristotel fliste për poemën e Stasinit jo me superlativa. Megjithatë, Qiprias i mbetet merita që ka mbushur një hendek që kishte krijuar Iliada; në fakt duket se Stasini duket se ka shkruar në një kohë pas Homerit, kur Iliada tashmë ekzistonte.
Megjithatë, në rrëfimin e historisë së Trojës, Iliada vjen pas Qiprias: praktikisht nis kur gjykimi i Paridit ka mbushur tashmë 19 vite dhe bukuria e Afërditësh ka mbetur e pandryshuar, por jo ajo e Helenës. Kështu, ndërkohë që Homeri sulmon, nëpërmjet një teksti të ndërtuar më mirë se sa Qipria, grekët kanë hsumë pak për të kënduar sepse kanë ngecur: kanë organizuar sulme mbi brigjet anadollake, e kanë shtrënguar fort rrethimin përreth qytetit, por nuk arrijnë ta marrin. Dhe anijet e tyre fundosen në betejë.
Pikërisht në këtë kuadër shpërthen një tjetër casus belli: këtë herë jo ndërmjet grekëve dhe trojanëve, por ndërmjet dy VIP-ave të rrethuesve, Akilit dhe Agamemnonit. I pari është biri i famshëm i nimfës Teti, një hero pothuajse i pathyeshëm (e vetmja pikë e dobët e tij është thembra) dhe vrasësi kryesor i ushtarëve të armikut. I dyti, mbret i Mikenës dhe vëllai i Menelaut, si dhe komandant i ekspeditës: më pak i fortë se Akili në betejë, e megjithatë më me ndikim se sa ai kur mblidhen këshillat e luftës nën cadra. Dhe nuk druhet aspak ta përdorë pushtetin e tij.
Zemërim fatal
Po cili është motivi i grindjes? Ndodh që gjatë sulmeve në brigjet të dy vip-at kanë marrë si skllave dy kushërira: Briseida dhe Kriseida. Ndodh edhe që babai i të dytës, Kriseidës, një prift në tempullin e Apollonit, vjen në cadrën e Agamemnonit bashkë me një pasuri me vete për të shpëtuar të bijën, por Agamemnoni e kthen mbrapsht në mënyrë të vrazhdë. Më pas, ndodh që Apolloni për t’u hakmarrë për shërbëtorin e tij të dëbuar, godet grekët me një murtajë të tmerrshme, e destinuar të vazhdojë deri kur Kriseida të rikthehet e lirë tek i ati.
Në këtë pikë Akili kërkon me forcë që të plotësohet dëshira e Perëndisë. Agamemnoni fillimisht reziston; më pas lëshon, por me një kusht: do të japë Kriseidën, por vetëshpërblehet duke marrë kushërirën e saj, Briseidën, në dëm të Akilit.
I zemëruar, superheroi pothuaj i hidhet në fyt komandantit që ta vrasë, por në momentin e fundit, Athinaja, e shqetësuar për të ardhmen e grekëve, e frenon. Kështu Akili tërhiqet, por hyn në grevë: nuk do të luftojë më. Më pas tërhiqet në breg të detit dhe bën diçka jo të zakonshme për një luftëtar: shpërthen në lot dhe thërret të ëmën.
Rikthim në fushëbetejë
“Greva” e Akilit zgjat 18 libra, nga 24 që formojnë Iliadën. Por rrethimi dhe lufta vazhdojnë dhe mungesa e birit të Tetit ndihet në fushëbetejë.
Për Homerin është një fat, sepse kjo e lejon të nxjerrë në dritë personazhe të tjerë, të dënuar përndryshe të qëndrojnë në hije. Disa janë të destinuar të bëhen simbole, në letërsinë e mëvonshme greko-latine: për shembull Mbreti i Pilos, Nestori, “gjyshi” i mençur i ekspeditës; apo Uliksi, apo Ajaksi, mbret i Salaminës.
Personazhi më pozitiv është Diomedi, mbret i Argosit dhe “kuzhinier” i perëndeshës Athina: një kalorës që di të luftojë si pak kush (në betejë arrin të plagosë edhe Aresin, perëndeshë e luftës) por ndalet, dorëzon armët dhe përqafon një armik (Glauki) kur zbulon se shumë kohë më parë, gjyshi i këtyre kish qenë mysafir tek gjyshi i tij. Personazhi grek më negativ është Ajaks Oileu, një harkëtar nga Lokride, blasfemist dhe zhvatës kufomash.
Pastaj janë trojanët, mes të cilëve shkëlqen Hektori, biri i parë i Priamit dhe vëllai i Paridit; një hero i vërtetë, para të cilit vetëm Akili mund të ngrejë kokë. Një tjetër luftëtar me vlerë është Enea, që romakët shumë shekuj më vonë do e adoptojnë si paraardhësin imagjinar të tyre. Ndërsa Paridi nuk bën një figurë të mirë: dembel dhe i dobët, qortohet rëndë nga Hektori sepse fshihet ndërkohë që të tjerët vdesin për shkak të tij; dhe kur del në duel me rivalin e tij Menelaun shpëton vetëm falë të zakonshmes Afërditë, e cila e ndihmon të zhduket në një re tymi.
Dy betejat e para të poemës përfundojnë praktikisht në barazim, por e treta është një fatkeqësi për grekët: Hektori, i papenguar nga Akili, udhëheq të tijët deri pranë detit, duke kërcënuar dhe anijet greke që janë ankoruar aty. Kjo gjë prek rëndë Patroklin, një mik i afërt i Akilit, i cili i lutet heroit që të kthehet e të luftojë, ose të paktën t’i japë hua armët e tij sepse do të shkojë të luftojë në vend të tij. Akili bindet dhe i thotë po për propozimin e dytë. Një zgjedhje tragjike, sepse Patrokli shkon në betejë, ndeshet me Hektorin dhe vritet.
Pra, grekët duket se kanë përfunduar nga gjahtarë në pre. Por, paradoksalisht, vdekja e Patroklit përmbys fatet e luftës në favor të tyre. Në fakt Akili, që deri këtu ka qeshur i kënaqur për humbjet e bashkëkombasve, përpara kufomës së mikut të tij shpërthen sërish në lotë, pastaj bën paqe me Agamemnonin dhe rikthehet në fushë në betejën e katërt të poemës, pas një takimi me nënën e tij Teti. Për trojanët është tragjedi: kush nuk vdes nën shpatën apo rrotat e karrocës së Akilit, është i detyruar të futet brenda mureve të qytetit.
Perëndi në fushëbetejë
Këtu afrohet finalja e madhe. Dhe për t’i dhënë sa më shumë solemnitet ngjarjes Homeri e paraprin me një seri perëndish në armë. Përveç perëndimve të tjera të prezantuara tashmë, këtë herë zbresin në fushë në krah të grekëve edhe Hermesi, Hefesti dhe Poseidoni. Në frontin kundërshtar të ardhurit rishtaz janë Artemisa, perëndesha e gjuetisë, dhe nëna e saj Leti, që futen në duele personalë me Herën dhe Hermesin. Kulmi i Iliadës vjen me dy superheronjtë, Akili dhe Hektori, që më në fund gjenden ballë për ballë. Kur trojani sheh të afrohet Akilin, e mbërthen frika dh ebën të largohet. Pastaj ndalet, përballet me armikun dhe bie nga një goditje me shpatë në fyt. Duke vdekur, i kërkon fitimtarit të duelit që të ketë mëshirë për kufomën e tij. Por Akili, i pamëshirshëm, përgjigjet se dëshiron ta shohë të copëtuar. Dhe fjalët i shoqëron me vepra: kufoma e heroit troian zhvishet dhe tërhiqet zvarrë nëpër pluhur deri në fushëkampin e grekëve.
Iliada përfundon virtualisht me këtë masakër, edhe pse në realitet poema vazhdon edhe me dy libra të tjerë, që në fakt janë rrëfime ku flitet vetëm për funerale. Por, për Homerin Lufta e Trojës mbetet pezull. Vazhdimin dhe epilogun e rrëfejnë poemat e tjera të ciklit trojan, përmbajtjen e të cilave e njohim pothuajse vetëm nëpërmjet përmbledhjeve të komentatorëve të lashtë. Nga ato poema të zhdukura tre meritojnë të përmenden: Etiopida, Iliada e vogël dhe Iliou persis.
Tek Etiopida (ndoshta vepër e Arktinit, një vepër e Miletit) rrëfehet fundi i Akilit, i cili vdes nga një shigjetë e Paridit, e goditur keq, por e devijuar drejt kundërshtarit nga perëndia Apollon. Iliada e Vogël (e shkruajtur ndoshta nga Lesche, një poet i ishullit Lesbo) thotë që edhe Paridi vdes nga një shigjetë, e lëshuar nga greku Filotet. Iliou persis (rënia e Ilios) është teksti që rrëfen për rënien e Trojës falë kalit të famshëm prej druri: një hile e të zakonshmit Uliks.
Kali i dhuruar…
Episodi është i njohur: grekët ndërtojnë një statujë shumë të madhe, bosh nga brenda. Pastaj, disa prej tyre futen në barkun e kalit dhe të gjithë të tjerët bëjnë sikur ikin: braktisin rrethimin dhe hipin në anije, ndërkohë që trojanët, kuriozë, e marrin kolosin brenda mureve. Pastaj, bie nata dhe grekët e fshehur dalin nga barku i kalit dhe u hapin dyert bashkëluftëtarëve, që ndërkohë janë rikthyer. Tani Troja nuk ka më shpëtim: luftëtarët armiq janë kudo, vrasin, zhvasin gjithcka që munden dhe djegin ato që mbeten. Më pak të njohur se sa kali janë disa xheste që, sipas Iliou Persis, shoqërojnë fundin e qytetit. E para është vepër e të zakonshmit Ajaks Oileut, i cili parashikuesen Kasandra mbi një altar të Athinasë. Në episodet e tjerë është protagonist Neoptolemi, biri i Akilit, i cili në fillim vret me gjak të ftohtë në një tempull të Zeusit mbretin Priam, më pas vret vogëlushin Astianat, jetim i Hektorit dhe në fund tërheq zvarrë tek varri i Akilit një bijë adoleshente të Priamit, Poliksena, dhe e flijon si të ishte një kafshë.
Me këto skena barbare dhe halucinante ulet sipari i Luftës së Trojës. Dhe hapen dy pyetje, për të cilat historianë dhe arkeologë kërkojnë përgjigje prej kohësh. E para: sa të vërteta ka prapa këtij rrëfimi të lashtë të shndërruar në legjendë? E dyta: nëse “nëna e gjithë luftërave” nuk është vetëm një fantazi poetësh, fitorja e grekëve a ishte lavdi e vërtetë?
Akejtë e vërtetë
Të gjithë grekët që kanë rrethuar muret e Trojës, sipas Iliadës, janë Akej, apo banorë të Akaias. Por, sipas disa studiuesve, prapa atij emri fshihej edhe një popull gjysmë nomad i imigruar në Greqi nga Europa Qendrore në mijëvjeçarin II para Krishtit. Pasi u integruan me indigjenët, ata mendohet se janë vendosur në Argolidë në Peloponez, ku krijuan disa qytete shtete dhe i dhanë jetë qytetërimit që sot e quajmë mikenas nga qyteti i Mikenës
Ta zëmë se vendosni të shkruani një roman që flet për heronj, për beteja dhe për mbretëresha, gjithcka e kalitur nga një copë magjie (apo ndërhyrje hyjnore, si të doni): në cilën epokë do ta ambientonit? Ndoshta në një epokë të lashtë e plot përralla, të largët, por jo shumë. Ai që kompozoi Iliadën arsyetoi pak a shumë kështu. Për autorin e poemës, që ka jetuar afro 4 shekuj pas luftës së Trojës (që ndodhi afërissht në viti 1200 para Krishtit), epoka e lashtë ishte ajo e Mikenasve.
Të gjithë grekët që kanë rrethuar muret e Trojës, sipas Iliadës, janë Akej, apo banorë të Akaias. Por, sipas disa studiuesve, prapa atij emri fshihej edhe një popull gjysmë nomad i imigruar në Greqi nga Evropa Qendrore në mijëvjeçarin II para Krishtit. Pasi u integruan me indigjenët, ata mendohet se janë vendosur në Argolidë në Peloponez, ku krijuan disa qytete shtete dhe i dhanë jetë qytetërimit që sot e quajmë mikenas nga qyteti i Mikenës, një prej qendrave më të mëdha bashkë me Argos, Tirinto, Pilo dhe Sparta. Ai qytetërim ishte sfondi i rrëfimit historik të quajtur Iliadë.
Arkitektë të zotë, adhurues të së bukurës dhe mbështetës të barazisë mes gjinive, mikenasit kishin një defekt të madh: ishin luftëdashës. Gjë që shkaktonte tensione me fqinjët, përfshirë bashkëkombasit. Ai lloj karakteri shfaqet në Iliadë tek personazhi i Agamemnonit, komandant i të gjithë grekëve në Trojë. Bir i Atreut, mbret i Mikenës, personazhi legjendar ka shumë të përbashkëta me sovranin tipik që qeveriste çdo qytet shtet mikenas. “Ashtu si sovranët e poemës homeriane, mbretërit mikenas emëroheshin sipas linjës atërore të pasardhjes”, konfirmon Masimo Cultraro, arkeolog dhe kërkues në institutin e mallrave arkeologjikë dhe monumentalë në Cnr. Ajo mikenase ishte një shoqëri aristokrate ku mbretërit visheshin me pushtet absolut, përfaqësuar nga skeptri. “Nuk ekzistonin organe kolegjialë që të freonin pushtetin mbretëror: sovrani emëronte funksionarët e pallatit, ushtronte një autoritet të plotë mbi administratën dhe kishte funksione gjykatësi”, shton eksperti. Përgjithësisht mbante të paprekur madhështinë e tij edhe i vdekur. Si në Lindjen e Afërme, populli mendonte se mbreti i vdekur pritej nga perënditë dhe meritonte të njëjtat ndere. Gjë që nuk i ndodhi Agamemnonit.
Me rikthimin nga lufta, sovrani gjeti një pritje aspak të ngrohtë: një vdekje e organizuar nga e shoqja, Klitemnestra. Kjo nuk mund t’ia falte (përvec tradhëtisë me trojanen Kasandra) flijimin e të bijës, Ifigjenisë, Në fakt, i ati e kishte flijuar në altarin e Perëndeshës Artemisë për t’i garantuar një lundrim të qetë drejt Trojës. Vetëm legjendë? Jo për të gjithë: disa studiues janë të bindur që në raste të caktuar, mikenasit kryenin vërtetë flijime njerëzish për të purifikuar qytetin e tyre. E provojnë eshtrat e gjetura të disa fëmijëve dhe skeleti i një gruaje të re, të gjendura mbi një tryezë nën rrënojat e një tempulli mikenas ku po kryhej riti.
Megjithatë, shumë pak gra mikenase e kishin këtë fat. Shoqëruese të denja të atyre meshkujve, ato gëzonin një liri të pazakontë për atë kohë. Mjafton të mendosh për Helenën, shkaku legjendar ishpërthimit të Luftës së Trojës.
Gruaja e bukur e Menelaut, Mbret i Spartës dhe vëlla i Agamemnonit, ishte një mbretëreshë e pasur dhe e fuqishme, një pjesë aktive më shumë se sa pasive e atij që Homeri e rrëfeu si rrëmbim. Bashkëqytetarët e saj e adhuronin, aq sa në kodrën ku mendohet se ka qenë pallati i Menelaut kanë gjetur 300 statujëza që lidheshin me kultin e saj.
“Kjo grua kishte një rol të rëndësishëm në shoqërinë mikenase”, konfirmon Cultraro. “E demonstron, në ceremonitë zyrtare dhe në jetën e obortrit, prania e një mbretëreshe në krah të mbretit. Bizhu dhe thesare të familjes përfundonin në varret femërorë dhe transmetimi i trashëgimisë bëhej nga nëna, nëse nuk kish trashëgimtarë meshkuj”.
Pra, mikenaset nuk ishin vetëm shtëpiake dhe nëna me kohë të plotë. Shumë punonin në pallat si funksionare, dominonin sektorin e prodhimit të veshjeve, të qeramikës që shitej në gjysmën e Mesdheut dhe të tregtisë së verës, si ajo e moshuara eshtrate të cilës u gjetën pranë disa amforave: ato me të cilat, ndoshta kishte arritur një pasurim të caktuar.
Një trajtim krejt tjetër u rezervohej skllaveve, në shkallën e fundit të piramidës sociale. “Shpesh herë tregoheshin sipas qytetit të origjinës: “gratë e Miletit”, “gratë e Lemnosit”. Në gjithë këta raste bëhej fjalë për të huaja shërbyese, të kapura në luftëra apo të blera në tregun e skllevërve”, shpjegon Cultraro. Një fat i zakonshëm për gratë dhe bijat e armiqve të mposhtur.
Në çfarë mënyre tjetër do të mund të shfrynin dëshirat e trye luftëtarët që qëndronin gjatë larg shtëpisë? Heroi i Iliadës, Akili na ofron një shembull: Briseida e bukur, gruaja e mbretit të Silisias, Minet, që mbeti e ve nga dora e heroit u bë preja e luftës, apo më saktë skllavja e tij në shtrat. Kur Agamemnoni e mori, Akili u zemërua, por asnjëherë aq shumë sa kur Hektori i vrau mikun e tij, Patroklin. Një reagim i tepruar që shumë studiues e kanë nterpretuar si shenjë e një lidhje më shumë se miqësore me shokun e armëve. “Burimet e shkruar për mikenasit janë të nëj natyre administrative he nuk thonë asgjë për këtë”, nënvizon Cultraro. “Dimë që në shoqëritë aristokrate-luftëtare si ajo mikenase, lidhja e ngushtë mes të rinjve që së bashku përballonin prova kurajoje dhe ushtarake për të hyrë në botën e të rriturve, mund të favorizonte raporte seksualë”.
Mikenasit ishin në gjendje të silleshin në luftë si Akilër. “Stërvitja, forca dhe aftësia ishin një prej komponentëve të aristokracisë mikenase. Në këtë pikë, paralelet me poemën homeriane janë të ngushtë: hakmarrje, kundëreagime, dhe dhunë ishin përbërësit bazë të shoqërisë së këtij lloji”, shton eksperti. Duhej ta dinin trojanët, pas mureve, ndërkohë që shihnin ata burra muskulozë, të pajisur mirë dhe të gjatë mesatarisht më shumë se një metër e shtatëdhjetë, në atë kohë një lartësi jashtë të zakonshmes.
Për luftën psikologjike, përshkruar edhe nga Homeri, lëvizja më e mirë ishte të dhunohej një kufomë apo të mos varrosej: mikenasit ishin të bindur se riti funebër përmirësonte udhëtimin e të vdekurit drejt mbretërisë së të vdekurve. Pa varrim, shpriti i tij do të udhëtonte pa gjetur paqe, duke ndjekur të afërmit që nuk ia kishin realizuar. Kështu mund të themi se edhe dhunimi i kufomës së Hektorit kontribuoi për rënien e Trojës.
Por fitorja e Iliadës ishte një këngë e mjellmës për mikenasit: minuar ndoshta nga ndryshimet klimaterike, nga kriza e tregtisë, që erdhi me sa duket prej inkursioneve të popujve të detit dhe një serie tërmetesh, qytetërimi mikenas i la vend Dorëve të ardhur nga veriu dhe u zhduk. Për t’u rikthyer katër shekuj më vonë, në vargjet e Homerit.