E gjithë bota nën përgjim për 100 vitet e ardhshme

Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) në SHBA është shumë më e fuqishme dhe më e fshehtë se sa CIA. Ajo ka përgatitur një plan të mirorganizua...


Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) në SHBA është shumë më e fuqishme dhe më e fshehtë se sa CIA. Ajo ka përgatitur një plan të mirorganizuar për magazinimin e komunikimeve të të gjithë botës për 100 vitet e ardhshme. Por publikimet e Edward Snowden mund të “hedhin në erë” këtë qendër kontrolli gjigante dhe super të kushtueshme. E përse çështja e Edward Snowden u shndërrua në çështjen më të nxehtë të vitit? Cilat janë lidhjet e Wikileaks? Snowden, një 30-vjeçar amerikan që, duke punuar për NSA, përmes kontraktorit të fuqishëm “Booz Allen Hamilton” bëri publik programin e spiunimit në masë të NSA. Ai kontaktoi dy gazetarë të së përditshmes britanike “The Guardian” dhe u dha disa dokumente dhe informacione drithëruese për mbarë botën nga politikanët e pushtetarët e deri tek qytetarët e thjeshtë. Për herë të parë në mënyrë absolute, Snowden ka mundësuar publikimin e disa dosjeve top secret të NSA që zbulojnë përgjimet e saj në masë. Ndërkohë që zyrtarisht të gjitha këto publikime po përgënjeshtrohen, dokumentet detajojnë një operacion “rrjet merimange” që ndjek çdo telefonatë çdo ditë- miliarda e miliarda të dhëna personale- dhe një tjetër operacion i quajtur Prism që drejton marrjen e të dhënave komunikative përmes internetit që hyjnë e dalin nga Google, Apple, Yahoo dhe të tjerë gjigantë të rrjetit internet. Askush tjetër brenda agjencisë përpara Snowden nuk ka guxuar të publikojë këto të dhëna, të cilat sjellin përpara syve të gjithë botës klimën e fshehtësisë së spiunimit të NSA. Është një agjenci që, asnjëherë asnjë prej personave që ka punuar aty dhe më pas është larguar nuk ka rrëfyer asgjë apo të ketë bërë ndonjë libër ndryshe nga CIA, në të cilën çdo operacion i suksesshëm i ndonjë drejtuesi përfundon duke u bërë libër.

Çfarë është ekzaktësisht NSA?

Është agjencia më e madhe, më e kushtueshme, me teknologjinë më të sofistikuar të spiunazhit që bota ka njohur ndonjëherë. Është tre herë më e madhe se CIA, përthith tre çerekun e buxhetit të destinuar për shërbimin inteligjent, në vitin 2010 ka patur një buxhet prej 80.1 miliardë dollarësh, në vitin 2011 78,6 miliardë dollarë dhe në vitin 2012 rreth 75,4 miliardë dollarë. Një super godinë prej 5 mijë akrash  e mbrojtur nga një sistem skanerash biometrikë dhe njohje përmes fytyrës, merret vetëm me përgjimet online, kompjuterike, pra komunikimet përmes internetit. (Sa për shembull, fatura e energjisë elektrike vetëm është 70 milionë dollarë në vit). Është e pamundur të thuhet se sa punonjës përfshin kjo godinë, për shkak të fshehtësisë së punës së saj. Megjithatë ka një raport sipas të cilit aty mund të punojnë rreth 40 mijë civilë, një shifër që bëhet akoma edhe më e madhe nëse përfshin edhe ushtarakët dhe kontraktuesit. NSA merret ekskluzivisht me spiunazhin e komunikimeve. Cilësohet si agjencia që mbledh më shumë se në çdo vend tjetër matematikanë dhe kriptografë nga e gjithë bota. Ka në pronësinë e vet mendjet më të shquara të Amerikës. Agjencia është në gjendje që të përgjojë të gjitha komunikimet në botë në kohë reale, duke regjistruar përmbajtjen e çdo telefonate, e-mail, chat dhe video. Sot, teknologjitë e përgjimit dhe arkivimit dixhital të të dhënave jo vetëm që mundësojnë efikasitet në futjen në sistem, por kanë nga ana tjetër kapacitet për të mbajtur informacion jashtëzakonisht voluminoz. Mjetet që përdor NSA janë në gjendje që të arkivojnë përgjimet e telefonatave që gjithë qytetarët amerikanë kanë bërë përgjatë një viti.

Bashkëpunimi i NSA me Izraelin

Por jo vetëm kaq. NSA ka patur një ortak bashkëpunimi dhe ai është Izraeli, me të cilin kanë krijuar programin Stuxnet, për ta përdorur më pas për një seri sulmesh kibernetike, me qëllim shkatërrimin e mundësive të Iranit për të proceduar me pasurimin e uraniumit dhe forcimin e ambicieve nukleare. NSA është në përgjim edhe të të gjitha shërbimeve të tjera inteligjente në botë. Tashmë konfirmohet se NSA ndan aktivitetet e saj të përgjimit me disa kombe të tjera, Britaninë e Madhe dhe Izraelin. Fakti që programi Stuxnet është një krijim i SHBA dhe Izraelit nuk është një gjë e re tashmë. Shumë ekspertë të sigurisë dyshojnë se një numër zytarësh të administratës Obama pohojnë duke ruajtur anonimitetin se disa shtete kanë bashkëpunuar me SHBA për të krijuar sulme të përbashkëta.

Projekti Prism

Skandali i përgjimeve të SHBA vijon të procedojë nga një dokument i ri sekret në tjetrin. Nga bisedat telefonike tek marrja e të dhënave nëpër serverat kompjuterikë personalë të kompanive të internetit në SHBA. NSA ka aksesin e plotë të futet në çdo server kompjuterik. Kjo agjenci përveçse përgjon telefonatat vokale, ajo ka në dispozicion një “derë sekrete” për të hyrë në serverat e shoqërive më të mëdha teknologjike në botë. Programi i ri sekret quhet Prism dhe merret pikërisht me trafikun e përgjimeve të komunikimeve telefonike. Rrjedhja e informacionit top sekret ka të bëjë me një rrjet të kudondodhur agjentësh të shërbimit inteligjent amerikan. Një rrjet me mijëra tentakula që shfrytëzon aksesin që ka (ndonëse edhe të jashtëligjshëm), duke futur në folenë e vet informacion nga të gjitha anët, prioritet mbeten edhe korporatat dhe sipërmarrjet e mëdha, të dhënat e të cilave ekzistojnë si kopje edhe në arkivat e NSA në formatin dixhital. Pjesa më e madhe e komunikimeve në botë merren përmes statuseve. Agjenti i NSA përmes “derës sekrete” hyn në serverin e Mikrosoftit, Google, Yahoo, Facebook, Pal talk, You Tube, Skype, Aol dhe Apple. Në dispozicion të agjentit sekret vihen të gjitha e-mail-et, bisedat përmes chat-it, audio, video, të dhëna, komunikime, file, njoftime, raporte mbi aktivitetin e rrjeteve sociale dhe shumë e shumë të dhëna të tjera, disa prej tyre quhen edhe “kërkesa speciale”. Programi Prism kushton 20 milionë dollarë në vit dhe operacionet përmes këtij programi kanë filluar në vitin 2007, me përfshirjen e Mikrosoftit dhe më pas në vitin 2012 me pjesëmarrjen e Apple. Prism është diçka gjigante, një plan përgjimi dhe teknokontrolli që zbeh çfarëdolloj dokumenti të cilësuar nga mbajtësi sekret, dokumente, denoncime dhe çdo gjë tjetër transkiptohet në zyrat e NSA. Ky program është mishërim i projektit Ndërgjegjësimi i Informacionit Total, i cili i spiunon të gjithë në funksion të antiterrorizmit dhe zyrtarët amerikanë as që mendojnë ta fshehin ekzistencën e tij. Shoqëritë e përfshira si Google, Mikrosoft dhe të gjitha të tjerat e mohojnë përfshirjen e tyre direkte në instalimin e “derës sekrete”, përmes të cilës NSA futet në server dhe merr në kontroll frenat e informacionit në gjithë botën.

Nobel për Snowden?

Plasja e të ashtuquajturës datagate (skandali i të dhënave) sigurisht ka si protagonist kryesor Edward Snowden, për të cilin bota është ndarë më dysh mes kërkesës së ethshme të SHBA për ta arrestuar dhe nga ana tjetër mes atyre që i propozojnë Oslos Çmimin Nobel të Paqes për Snowden. Një profesor sociologjie në Suedi i ka rekomanduar Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen akordimin e këtij çmimi Edward Snowden. Në një letër drejtuar komitetit, ai merr një shembull paralel jashtëzakonisht domethenës siç është ai i gjyqit të Nurembergut ku slogani: “Unë thjesht zbatoja urdhrat” nuk u mor asnjëherë parasysh për të justifikuar aktet kundër të drejtave dhe lirive të njeriut. Profesor Stefan Svallfors në mesazhin e tij drejtuar Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen shprehet: “Të nderuar anëtarë të komitetit! Unë sugjeroj që Çmimi Nobel 2013 për Paqen t’i akordohet qytetarit amerikan Edward Snowden. Edward Snowden me një sfidë heroike dhe një kosto të madhe personale vendosi të publikonte një përmbajtje të gjerë survejimi që qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë përmes komunikimeve elektronike në mbarë botën. Duke hedhur dritë mbi programet monitoruese, të cilat kanë shkelur dhe ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare, Edward Snowden ka kontribuar për ta bërë botën pak më të mirë dhe më të sigurtë. Me hapat e tij personale, ai i tregoi botës se edhe një individ i vetëm mund të ngrihet në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të individit. Ky shembull është i nevojshëm, sepse që nga koha e gjyqit të Nurembergut në vitin 1945 u bë e qartë se slogani: ‘Unë thjesht zbatoja urdhrat’ nuk u mor asnjëherë parasysh për të justifikuar aktet kundër të drejtave dhe lirive të njeriut. Pavarësisht kësaj, është shumë e rrallë që qytetarët në mënyrë individuale kanë një përgjegjësi kaq të lartë përgjegjësie dhe kurajoje ashtu siç Edward Snowden tregoi me publikimin e programit të survejimit të botës nga Amerika. Për këto arsye, ai është një kandidat potencial për Çmimin për Paqen. Vendimi për t’i dhënë Edward Snowden Çmimin Nobel justifikon veten dhe ndihmon që të shpëtojë vetë Çmimin Nobel për Paqen nga reputacioni i keq i viteve të fundit. Duhet të tregohet vullneti i mbrojtjes së vlerave dhe parimeve të vërteta njerëzore”.  


Përgatiti: Blerina Toslluku

Related

Teknologji 2509661784679242713

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

item