Basha, profili i sfiduesit të Ramës

BELINA BUDINI     Fushata e zgjedhjeve të brendshme për kryetarin e ri të Partisë Demokratike mund të mos ketë pamjen e një gare të madhe. S...

BELINA BUDINI
  

Fushata e zgjedhjeve të brendshme për kryetarin e ri të Partisë Demokratike mund të mos ketë pamjen e një gare të madhe. Sidomos pas mbylljes së një gare të ashtuquajtur historike, si ajo që çoi në rezultatin e 23 qershorit. Mirëpo nga kjo garë do të dalë lajmi i dytë më i madh në aparatin burokratik të Partisë Demokratike pas atij të largimit të kryetarit të saj historik, Sali Berishës. Kaq duhet të mjaftojë që të gjithë t’i kenë sytë nga Basha dhe Olldashi, si kandidatët për të marrë lidershipin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Jo vetëm përsa u përket palëve të interesuara politikisht, por edhe audiencës së gjerë, dhe sigurisht edhe vetë mediave. Aq më tepër në kuadër të analizës, sidomos asaj të komunikimit politik.
Një “ndeshje” për postin e kryetarit të partisë që solli rilindjen e vërtetë politike në Shqipëri pas rënies të sistemit diktatorial, meriton të quhet historike ndoshta shumë më tepër se sa një ndeshje e radhës për pushtet ndërmjet një kampi të lodhur prej dy mandatesh në qeverisje dhe një tjetri të përforcuar gjer në dhëmbë. Megjithatë, kjo nuk është nga ato ngjarje që flasin vetë. Ka nevojë jo vetëm që të raportohet, në të thatë, siç bëjnë shumica e mediave në stilin e raportimit rutinë për fushatë, por edhe të shpjegohet e të interpretohet. Nuk do të ishte keq sikur ky proces shpjegimi të niste nga raportet e përditshme të vetë mediave, për të mos i servirur edhe këta kandidatë si gjithë të tjerët përpara tyre në formatin “Basha, dy pika, hap thonjëzat”, “Olldashi, dy pika, hap thonjëzat”.
Profilet politike dhe komunikuese të kandidatëve në këtë garë, çfarë ata përfaqësojnë, identikitet e tyre, karakteristikat e personalitetit, karizma dhe oratoria marrin rëndësi të veçantë kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kryetarit të një partie të madhe konkurruese si PD, që garon për të qeverisur vendin duke mundur kundërshtarët përballë. Një profilizim apo diferencim i tillë, megjithëse qëndron në background, mund të sillet në plan të parë si mënyrë për të kuptuar atë që nuk shihet mirë edhe duke e pasur përpara sysh. Kjo do të thotë që për të kuptuar se cili është më bindës si kryetar i ri i Partisë Demokratike, nuk mjafton t’i lexojmë si tekste, por t’i shohim si aktorë politikë.
Dhe aktorët në politikë, ashtu si edhe në sport, për fat të keq, maten vetëm me fitoret e tyre. Humbjet, sado me nder qofshin, kanë vlerën e minusit. Ndaj, partitë konkurruese në botë sot shohin te kryetari i tyre fituesin e ardhshëm përballë kundërshtarëve, jo atë të mizanskenave organizative. Ndaj, te Basha dhe Olldashi në garën për kreun e PD-së nuk vlen për gjë të kërkosh fijet e nëndheshme për t’i matur. Diferenca ndërmjet tyre është e qartë në dritë të diellit përsa u përket tipareve të atij që mishëron pasardhësin në PD. Jo për kritere estetike, si pamja e jashtme apo përdorimi i aparatit të gojës për të folur. Sipërfaqësisht, Basha dhe Olldashi madje mund të ngatërrohen për zgjedhje të afërta, të paktën në moshë. Në sytë e opinionit të gjerë publik është e qartë se tiparet e pasardhësit në krye të PD është i vetmi Basha që i mishëron plotësisht. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja përse të gjithë e shihnin fituesin tek ai edhe përpara se kjo garë të niste.
Në të vërtetë, një profil politik si ai i Lulzim Bashës, pavarësisht se si duan ta damkosin kundërshtarët dhe rivalët, përfaqëson stafetën ose shpresën për qarkullimin e elitave politike dhe partiake edhe në Shqipëri, duke qenë se është jo thjesht “i riu” si gjeneratë në politikë, por edhe identikiti modern i politikanit si produkt i shkollës së re të komunikimit politik. Këtë të fundit, në fakt, pati rastin të na e provonte edhe me fushatën fituese që udhëhoqi si kandidat për Bashkinë e kryeqytetit. Nga ana tjetër, një profil politik si ai i Sokol Olldashit, pavarësisht se duket i preferuari i kundërshtarëve të majtë dhe përflitet se gëzon mbështetjen organizative të një klani oligarkik në PD, mishëron politikanin tipik të tranzicionit në skenën politike shqiptare, që edhe pse i ri në moshë, ka qasje berishiste, po t’i referohemi komunikimit të tij publik. Basha, edhe nëse pranojmë që ka përkrahjen e heshtur të Berishës për të marrë kreun e PD, vetëm berishist që nuk mund të quhet për mënyrën e të bërit politikë dhe stilin e komunikimit politik.
Profili i Bashës përkundrejt atij të Olldashit ka pra në thelb epërsinë se komunikon pasardhësin brenda PD, por edhe në raport me kundërshtarin. Olldashi përballë Ramës do ta kishte shumë më të vështirë sesa Basha përballë Ramës, për të mos thënë të pamundur. Jo vetëm sepse është mundur një herë prej tij në një garë elektorale, por edhe sepse nuk ofron një identikit sfidanti përballë tij. Vështirë të merret madje seriozisht nga kundërshtarët, duke llogaritur këtu jo vetëm Ramën, por edhe Metën. Nga ana tjetër, brenda së djathtës nuk besoj se ndokush sheh tek Olldashi pasardhësin si lider i ri. Nëse ka nga ata që mund të mos e shohin ende as te Basha, por në perspektivë, sigurisht pasardhësin e mishëron shumë më tepër ky i fundit. Në raport me kundërshtarin, Basha pa dyshim përfaqëson sfidantin jo vetëm për faktin se e ka mundur një herë atë në një garë elektorale, por edhe sepse ofron identikitin e sfidantit përballë tij. Sfidantit si stof i ndryshëm politikani, por edhe si profil njerëzor e komunikues. Sfidantin si alternativë menaxheriale dhe qeverisëse me fytyrë humane. Sfidantin edhe në verb e në teza. Kandidatura e Olldashit nuk i përmbush këto pritshmëri, megjithëse është një politikan i vlefshëm në skuadrën e djathtë. Siç po shihet, atij vetë i është dashur të huazojë ca nga verbi dhe tezat e Bashës gjatë fushatës së brendshme në parti. Megjithatë, është për t’u vlerësuar fakti që as Basha, as Olldashi nuk janë përfshirë, së paku deri tani, në ndonjë fushatë negativiste ndaj njëri-tjetrit.

Ka një tendencë nga ana e disa mediave dhe palëve të interesuara politikisht që kjo garë brenda PD të paraqitet si një teatër marionetash, në kuptimin që flitet më tepër për ata që janë mbrapa Bashës dhe Olldashit, sesa për vetë ata të dy si kandidatura. Sigurisht, në prapaskenën e çdo teatri ka ca fije ose mekanizma të fshehtë që ndihmojnë lojën e aktorëve në skenë, dhe po kështu edhe në teatrin politik. Mirëpo loja e fijeve në prapaskenë, sado tërheqëse që të jetë, nuk duhet të bëhet shkas për të humbur nga sytë potencialin e vetë figurave në skenë. Përpjekja për ta zhvendosur vëmendjen publike nga kandidaturat drejt mekanizmave të fshehtë ose okultë brenda PD, jo vetëm që nuk është informuese, por manifeston edhe praktikat më të këqija të diversionit politik në arenën publike shqiptare. Nuk është e vështirë të merret me mend se kush qëndron në këtë moment pas këtyre përpjekjeve. Po të fshehtat e kësaj historie janë pikërisht ato që kanë më pak vlerë që të merren në konsideratë, pasi çështja nuk është se kush qëndron pas kujt, por se cili duhet të jetë pasardhësi në PD? Cila është kandidatura që mishëron sfidantin e së djathtës përballë kundërshtarëve të majtë? Cila është figura me potencialin më të lartë për të bërë opozicion, për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe për të qeverisur Shqipërinë nesër? Përgjigjet për këto pyetje nuk mund të kërkohen në prapaskenë, por në qendër të skenës, për të gjykuar rreth kandidatëve dhe potencialit të gjithsecilit si udhëheqësi i ri i PD dhe sfidanti më efikas ndaj së majtës. Kur fushatës brenda PD nuk i kanë mbetur edhe shumë ditë për të numëruar, ndoshta vëmendja do të shkojë natyrshëm te vetë kandidatët. Por deri tani ajo ka munguar aty ku duhej të ishte.

Related

Opinione 1653425328275831388

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

item