Zyba Hysen Hysa: DEMOKRACI...! E dija që nuk do të vije aq shpejt, por është fatkeqësi po nuk erdhe tani...
Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brisht...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/07/zyba-hysen-hysa-demokraci-e-dija-qe-nuk.html
Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brishtë dhe nuk do të rezistojë e është e destinuar të vdesë, ose me përkushtim të jashtëzakonshmen, do të mbijetojë, por nuk do të ketë fuqinë e duhur për të ecur e sigurt drejt konsolidimit të saj. Këtu e kam fjalën për ardhjen e demokracisë në një shoqëri që ecën normalisht në rrugën e zhvillimit ta saj, ndërsa për kushtet e zhvillimit të popullit tonë, të kombit tonë, ka një specifikë teje të veçantë, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, nën vellon e saj janë future diktatura të egra si pjellë e rrezikshme e politikave antikombëtare të armiqve tanë shekullorë.
Historia jonë e këtyre 100 viteve shtet tregon se ka nxjerrë burra të mençur dhe patriot me vizione të qarta dhe strategji vizionare demokratike. Nuk do të thotë që të vije shekulli 21 dhe të vijë demokracia se duhet të vijë, por pikëpamjet demokratike kanë ekzistuar historikisht, se po të mos kenë ekzistuar, ato nuk do ishin bërë realitet në botë, kushtet në të cilën ndodhet një komb, apo një tjetër janë aq të ndryshme, saqë nganjëherë mendon se kurrë nuk do të arrihet demokracia, në një kohë që shtete tjera kanë me vite e vite që e gëzojnë, por kjo përplasje e vazhdueshme midis demokracisë dhe diktaturës vetvetiu ka sjellë kalbëzimin e njërës (diktaturës) dhe latimin e shkëlqimin e tjetrës (demokracisë). Shqipëria është shteti mëmë i kombit tonë dhe si i tillë, duhet të jetë shembull i një demokracie të vërtetë që edhe shqiptarët e jashtë kufirit të krenohen me të dhe të përpiqen që në sjelljet e tyre dhe në përpjekjet e tyre të ecin sipas këtij modeli për të bashkuar shpirtin tonë liridashës dhe kaq demokratik që e kemi dhuratë nga natyra, por që fatkeqësisht është keqpërdorur nga politika jonë e vjetër dhe “e re” shqiptare, që në vend të kryejë misionin e saj historik për t’u bërë shembull dhe dritë për gjithë shqiptarët, u kthye në një qendër internimi qarkuar me klon gjatë monizmit dhe në një vend pa vend për shqiptarët, të cilët ndjeheshin si qiraxhinj në shtëpinë e tyre, gjë që i bëri shumë dëm ëndrrës shekullore për bashkim, se shqiptari nga fati I një qeni të lidhur me zinxhirë në kohën e diktaturës, ku ushqehej me thërrmijat e të zot, pas viteve ’90 u kthye si një qen rrugaç, ku kushdo e qëllonte me shqelm, ku dhe vetë shteti e përndiqte dhe duke u endur nëpër botë po qen pa zot u shqelmua nga kushdo dhe u përbuz nga të gjithë e u frytëzua nga të gjithë pa fije mëshire, duke u detyruar të humbasë atë krenarinë e tij të ligjshme që na kishin dhuruar shekujt. Shkurt: Shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që nuk siguroj jetën e shtetasve të tij, shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që vjel taksa dhe këto i përdor për forcimin e pozitave të tij, jo për popullin, shtet që nuk mbështet intelektualët, krijuesit, shkencëtarët, patriotët… shtet që nuk të ngjall krenari kombëtare, ku nuk është shtet, por një grup banditësh që zoti e di se si do të përfundojë odiseja e këtij populli.
Të bësh të paditurin për të udhëhequr në mënyrë demokratike, është krim, se ne kemi demokratët tanë, Ismail Qemalin, ku dhe kundërshtarët politikë i përfshiu në qeveri për të mirën e kombit duke dhënë secili kontributin e tij, më pas kemi Fan Nolin e më pas kemi ata që vranë demokracinë përmes dhunës dhe mbollën dhunë, një dhunë që e pse vishet me vel demokracie, ajo vetëm çel filiza të rinj, që po nuk u pre vaditja me diktaturë do të krijojnë një pyll xhungle që nuk do mundemi të dalim më prej saj.
Kushtet historike në të cilën po kalon vendi ynë jemi në prag të krijimit të këtij pylli me filiza diktatorialë dhe mos o zot të vazhdojë kjo lloj politike, vendi ynë do të kthehet në një xhungël që zor se do jetë e zonja demokracia ta kapërcejë atë. Unë i besoj fatit dhe faktit, se kur humbasim shpresat, na realizohen dëshirat si me magji, kjo vërtet nuk është magji, por është rritja e forcave demokratike përballë forcave diktatoriale dhe është shansi që lehtësisht t’i vadisim filizat e diktaturës së re me mjaltin e demokracisë dhe të rriten lastarë të shëndetshëm për të përhapur sa më shumë oksigjen për vendin, për popullin, për kombin…
Duhet bërë çdo gjë me dashuri dhe me durim për të kaluar në këtë shndërrim paqësor derisa vetë diktatorët të shndërrohen pak nga pak në demokratë, jo duke i sharë e fyer, por duke udhëhequr me shembull demokratik, se edhe më i pabesi, kur e sheh që je besnik, fiton fisnikëri, se fajtorë nuk janë ata, por koha, koha e diktaturës nuk shkon pa i ngulur thonjtë mbi trupin tonë edhe pasi është rrëzuar. Rënia e diktaturës në vitin 1990 i ngjan një peme të rrëzuar nga stuhia, por që rrënjët i ka akoma në tokë, ajo frymoi gjatë tek ne edhe pas rrëzimit, se jetoi gjatë në pushtet. Ka ardhur koha e koha nuk pret… unë e ndjej se diçka e re, diçka që ka lindur nga toka e jo nga trungu i asaj peme po mbin, na mbetet ne të kujdesemi për të, se përplasja e vazhdueshme me diktaturën e ka forcuar si filiz, pak punë do, por do punë të vazhdueshme, ajo nuk kërkon më vetëmohim, nuk kërkon gjak, por vetëpohim, kërkon paqe. Mallkuar qoftë ai bir shqiptari që bëhet shkak edhe për një pikë gjak të derdhur, se gjaku i shqiptarëve del e tepron për të vaditur lirinë dhe demokracinë, sot duhet mendje dhe djersë, duhet dritë dhe paqe… ndaj dua ta mbyll me thënien e Adem Demacit “Libri për Vet Mohimin”, të cilin e përfundon me fjalët e tij himn për lirinë dhe demokracinë e vërtetë, të cilës i drejtohet “e dashur” : “Mirë bëre që s’erdhe, e dashur, se, po të vije, ka mundësi që ende do të mbeteshim , që ende do të ishim, së bashku, nën barrën e gabimeve të mia. Mirë bëre, e dashur, që nuk erdhe, se kështu, i vetmuar dhe pa lehtësime, m’u desh t’i mblidhja të gjitha forcat e mia;; kështu i vetmuar dhe pa përkrahje, m’u desh ta mblidhja tërë vendosmërinë time; kështu i vetmuar dhe pa ngushëllime m’u desh ta mblidhja krejt vullnetin tim dhe ta bëja mohimin e vetëmohimit tim. Prandaj e dashur, me mosardhjen tënde më ndihmove më shumë, se sa po të vije. Po të vije, ka rrezik që do të gjeje si Vet Mohim dhe kjo do të ishte një humbje kohe për të dy. Tani e dashur, të pres në kohën time - në kohën tonë...”