Provokatorët e radhës të Edi Ramës
AUREL PLASARI Provokatorët e radhës të Edi Ramës nuk i puq mjekra e modës, të cilën e mbajnë që të dy me karar, à la Europe, por bashk...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/09/provokatoret-e-radhes-te-edi-rames.html
AUREL PLASARI
Provokatorët e radhës të Edi Ramës nuk i puq mjekra e modës, të cilën e mbajnë që të dy me karar, à la Europe, por bashkëpunimi në maskarallimin publik të ideve të “të tjerëve”, në kuptimin të atyre që nuk janë “të tyret”. Njëri njoftohet për “filozof” me diplomën e Fakultetit Filozofik të Beogradit, – e njohin më mirë në Kosovë, – por edhe si fallxhor elektoral. Tjetri për biznesmen i shumëmbarëvajtur, ndërtues, çndërtues, mësimdhënës audiovizual, botues dhe përdorues si armë i një gazete dje në opozitë dhe qysh tani – afërmendsh – në shërbim të pushtetit të pritshëm. I pari s’afërmi do të jetë “këshilltari për rajonin” i Kryeministrit në pritje, të dytin s’afërmi do ta ketë deputet Grupi parlamentar i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në një debat për europianitetin e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian, duke shkruar dhe botuar, të dy kanë guxuar të maskarallojnë në publik idetë e mia për ç’i takon çështjes së Islamit në kontekstin europian, duke fabrikuar dhe botuar trillime dhe/ose insinuata. Duke qenë se ky debat në kulturën tonë është i hershëm dhe çështja është e ndjeshme, ja ku po riprodhoj tekstualisht qëndrimin tim për këtë çështje shkruar në një ese të vitit 1992 dhe botuar më 1993, pra qysh njëzet vjet më parë:
“Nëse sot në Europë vërehet një prirje për ta refuzuar Islamin, kjo prirje bart, pa dyshim, efekte negative për të ardhmen e bashkuar të kontinentit” (f. 53).
Edhe më tej:
“Islami i ka sjellë e vazhdon t’i sjellë njerëzimit të mira të mëdha, veçanërisht për nga pasurimi i botës shpirtërore: njohja e transcendencës së një Zoti të vetëm, ndjenja e vëllazërimit dhe e solidarësisë mes njerëzish, kuptimi që i jepet jetës etj. Edhe pa qenë besimtar, nuk mund të mos magjepsesh prej arkitekturës së shenjtë myslimane, prej veprave të pavdekshme të artit të shenjtë islamik etj. Nëse Europa duhet ta marrë seriozisht çështjen islame, kjo jo për “keqardhje” ose “tolerancë”, por sepse aktualisht ajo ka nevojë për Islamin, si për fetë e tjera të mëdha. Vetëm se kjo është një nga ato nevoja që plotësohen në mënyrë të natyrshme, paqësore, përndryshe shndërrohen në imponime e sjellim mbas vetes refuzime të reja” (f. 53-54).
Kjo ka qenë ideja ime për ç’i takon çështjes së Islamit në kontekstin europian, e cituar dhe e ricituar më se një herë edhe prej respektuesve të vërtetë të fesë në fjalë. Më qartë qëndrimin tim nuk do ta kisha formuluar dot as sot, ndonëse e mbaj veten më të pjekur. Mendoj gjithashtu se për lexuesin e ndershëm, që di të gjykojë “fair”, kjo ide imja as ka nevojë për komente keqdashëse. Nëse dy provokatorët mund ta kenë zili faktin që këtë ide kam pasur mend ta shpreh qartë këtu e njëzet vjet të shkuar, kur idetë e tyre të atëhershme për Europën publiku ende nuk i ka të qarta as sot, unë nuk u bëj dot derman: edhe zilia njerëzore është. Fundja, i ka jeta këto! Edhe nëse dy provokatorët, në krah të Edi Ramës, kanë marrë përsipër që me insinuata dhe maskarallime të nxisin në këtë shoqëri urrejtje dhe përçarje, ky qoftë i tyri si mision dhe shërbeftë si paralajmërim për shoqërinë shqiptare. Dhe as fjali kinse-respekti të mos shpenzojnë për mua duke ledhatuar mjekrat à la Europe, se tash disa dhjetëvjeçarë që shkruaj nuk shkruaj për të më lexuar gjind që s’dinë të lexojnë.
Që njëri prej provokatorëve nesër do të jetë këshilltar zyrtar i Kryeministrit të radhës, ndërsa tjetri anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, kjo nuk duhet të na ndikojë hiçaspak për t’i pohuar të vërtetat siç janë. Të vërtetat nuk janë punë votimi, as çështje “shumice”. Pra as çështje demokracie. Janë çështje specialiteti. Edhe zanati më i thjeshtë në botë, ai i gatimit të bukës, është çështje specialiteti dhe jo votash. E vërteta nuk zgjidhet nëpërmjet pasjes së “shumicës” ashtu sikurse në gjeometri teoria e Pitagorës nuk vihet në votim për të vendosur në është e vërtetë apo jo. Nga individë të tillë që po e shpallin publikisht maskarallëkun e tyre ende pa u ngjitur siç duhet në pushtet, përfytyroni se ç’mund të pritet kur të jenë ngjitur atje tek presin të ngjiten! Nuk e parashikojnë të gjorët që, edhe atje “lart”, do të mbeten vetëm moot-ra, me epitetin që miku ynë Edison Ypi ndodh ta përdorë me të tepërt, por që në disa raste qenkësh i meritueshëm. Le t’i trajtojmë siç e meritojnë.