Dy pamjet e Shkëlzen Maliqit
BEHAR GJOKA Mjaftoi emri i Shkëlzen Maliqit, tash së fundmi i emëruar si këshilltar për rajonin pranë Kryeministrit të dalë nga zgjedhjet ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/09/dy-pamjet-e-shkelzen-maliqit.html
BEHAR GJOKA
Mjaftoi emri i Shkëlzen Maliqit, tash së fundmi i emëruar si këshilltar për rajonin pranë Kryeministrit të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, që rrufeshëm dhe pa doreza të hapej “Kutia e Pandorës”. Kutia e inatit shqiptarçe, e sjelljes në vëmendje të rrënjëve dhe degëve të fisit e të kuçit dhe maçit të këtij individi, jo të panjohur për skenën shqiptare. Kaq u desh që të shpërthente vrulli i zemëratës, të mbytur për pak kohë në ethet e gushtit. Si me thënë, nisi fushata e kërkimit të bëmave dhe të pabërave të tij, duke u mbështetur kryesisht në një verifikim të pastër biografik. Në fakt, kemi treguar me kohë që këtë dimë ta bëjmë mirë, duke harruar për momentin se kështu jo vetëm e telendisim veten tonë, natyrisht një pjesë të saj, por edhe dalim cullak përpara botës. Pa marrë përsipër dritëhijet e pranishme biografike, për Maliqin, apo për këdo tjetër, të cilat të mbështjella në tejqyrën e verifikimit biografik, bardhezi, japin dorë për të rrëzuar këdo, madje edhe sikur të jetë në majë të Olimpit. Nuk e di se kush do mund të shpëtonte nga ky verifikim asgjësues, diabolik dhe ideologjik, mbase për vetë engjëjt, e jo më për njerëzit, i skenës mediatike, politike dhe intelektuale të të dy anëve të kufirit, që zakonisht debatin e zbret në nivele minore dhe periferike. Është thelbësore të dimë se kush është, se cili është niveli shkollues dhe profesional, sidomos e vlen për këshilltar i rajonit. Në marrëdhëniet profesionale dhe administrative, verifikimi jashtë këtyre kritereve, është sa i padobishëm, aq kohëhumbës për nevojat e zgjerimit të hapësirave të komunikimit, me veten tonë dhe me të tjerët. Prania e skicimit, bardhezi, të politikës së ditës, pak më shumë, edhe të mjediseve të tjera, por edhe të marrëdhënieve ndërnjerëzore, është konsum i jashtëzakonshëm energjish negative, është investim i panevojshëm, për të vonuar integrimet rajonale, por edhe ato ndërshqiptare. Emri i Sh. Maliqit nuk përmendet për herë të parë në skenën e Shqipërisë londineze, qoftë politike, e po kaq edhe mediatike. Por është hera e parë, që analistët, opinionistët, studiuesit e shumë shkencave, nga të gjitha krahët e politikës, janë lëshuar në kërkim të njollave dhe kleçkave biografike të Maliqit, që në fakt të sjell në mend gjuetinë e shtrigave, aq të pranishme në një kohë dhe sistem tjetër. Në këtë histori, kinse më tepër, përbaltje jargavitëse, jo se me intereson ajo që ka bërë dhe nuk ka bërë Sh. Maliqi, por vetvetiu më erdhi në mend përsëritja e skemës së anatemimit të tij. Në këtë kuptim, kemi dy pamje të skicuara për të njëjtin njeri dhe person publik, kryesisht për nevojat e skenës politike dhe mediatike shqiptare dhe shqipfolëse:
Pamja e parë lidhet me praninë e tij në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, si organizues sondazhesh, ku pati nxjerrë fitimtar forcat e djathta dhe Partinë Demokratike. Atëherë Sh. Maliqi sulmohej me të gjitha mjetet dhe format, nga krahu i majtë, sidomos nga disa ekspertë të PS-së. Atëherë ishte ftuar nga të djathtët dhe bëri një detyrë teknike, pavarësisht pretendimit të palëve, shijes së hidhur që lë humbja, që kishte të bënte me përllogaritjet (si ish-student i Eduart Kardelit), thuhet se i bëri në rregull.
Pamja e dytë, tashmë dora vetë Shkëlzen Maliqi, ish-Ganibobisti, është ftuar si ekspert, nga krahu i majtë, nga vetë z. Rama, për të qenë këshilltar i Kryeministrit për rajonin. Jemi në një situatë tjetër, personi është ftuar në një pozicion tjetër, po në Shqipëri.
Këtë detyrë, pra të këshilltarit për rajonin, formalisht dhe bazuar në veprimtarinë e tij gjatë gjithë kësaj periudhe, është përzgjedhur si një nga personat e përshtatshëm për të dhënë kontribut, pra sërish në një detyrë të ftuar nga një parti shqiptare.
Krahas këtyre dy pamjeve, aspak profesionale, pro thelbësisht biografike, për të identifikuar rastin e Sh. Maliqit, që nuk është as rasti i parë, e as rasti i mbramë i punësimit, në dy anët e trojeve shqiptare, të personave të tjerë, ku tanimë kemi një spektër të zgjeruar të dhënies dhe marrjes së përvojave të dy anëve të kufirit. Shqiptarët e rajonit, pavarësisht shteteve ku jetojnë, krahas përpjekjeve për t’u integruar në të gjithë hapësirën, sidomos në hapësirën euroatlantike, nuk duhet të nxjerrin nga mendja edhe integrimin ndërmjet vedit, pra të ndjesisë së identitetit kombëtar, të fatit historik dhe bashkëkohor të përbashkët. Prandaj, kontributet e dyanshme, madje edhe të shumanshme, pavarësisht nga cila anë e kufirit vijnë, duhet të jenë të mirëseardhura nga të gjitha palët. Nuk ka se si ta shohim vëngër dhe me përbuzje njëri-tjetrin, sepse është koha e integrimeve të gjera dhe të shumëfishta, është koha e zgjerimit të hapësirave komunikuese, është shekulli i dëshmimit të qenies shqiptare, si pjesë unike e qytetërimit europian.