Kanioni i Langaricës, një mrekulli e natyrës në rrezik
Përmet - Kanioni i Langaricës dhe burimet e Bënjës, vlera për zhvillimin ekonomik e social, rrezikohen nga ndërtimi i dy hidrocentraleve dh...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/09/kanioni-i-langarices-nje-mrekulli-e.html
Përmet - Kanioni i Langaricës dhe burimet e Bënjës, vlera për zhvillimin ekonomik e social, rrezikohen nga ndërtimi i dy hidrocentraleve dhe një nyje inertesh
Engjëll Serjani
Kanioni i Langaricës, një zinxhir monumentesh unike të natyrës dhe trashëgimisë kulturore që përbëjnë një pasuri të madhe për zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe burim të ardhurash, jo vetëm për banorët e Komunës së Petranit, të qytetit dhe rrethit të Përmetit, por për të gjithë rajonin e Prefekturës së Gjirokastrës, muajt e fundit është vënë në rrezik nga fillimi i punimeve për ndërtimin e dy hidrocentraleve me koncesion dhe një nyje për prodhimin e inerteve të ndërtimit.
Vlerat e kësaj zone
Kjo zonë me vlera të jashtëzakonshme për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit jetësor dhe financiar të banorëve të këtij rajoni, që përfshin burimet e banjave tërmale të Bënjës, Kanionin 4-5 km të Langaricës, Urën e vjetër të Katiut, pyllin dhe shpellat e Petranit, kishën e Bënjës dhe shumë resurse të tjera, prej kohësh e braktisur nga investimet, befas është kthyer në një kantier ku ekskavatorët gërmojnë në brigjet e lumit të Langaricës për të ndërtuar veprën e marrjes dhe kanalet që do ta dërgojnë ujin e këtij lumi të bekuar në turbinat e dy hidrocentraleve. Pa marrë parasysh programet dhe planet e zhvillimit ekonomik dhe social të Komunës Petran, vendin ku ka nisur punimet projekti në fjalë, peizazhi ka nisur të shpërfytyrohet dhe ndërkaq shpresat për ringjalljen e zonës nga zhvillimi i turizmit kanë nisur të veniten.
Komuna dhe ambientalistët
Nga kryetari i komunës z. Niko Shupuli mësojmë se për herë të parë kjo komunë, së bashku me komunat e tjera të Qarkut Lunxhëri dhe Pogon janë përfshirë në një masterplan të përbashkët për zhvillimin e turizmit alternativ në kuadrin e Programit IPA CBC 2007-2013 që ka nisur të zbatohet nga Prefektura e Gjirokastrës, masterplan që nuk parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve. “Së bashku me komunat Pogon e Lunxhëri në Gjirokastër, ne jemi duke implementuar projektin “Net Routes” që ka si prioritet për rajonin, krijimin, zbatimin dhe promovimin e një rrjeti për zhvillimin e turizmit alternativ, prioritet që bie ndesh me ndryshimin e peizazhit natyror që sjell ndërtimi i dy veprave hidrike me koncesion”, thotë ambientalistja Ornela Çuçi nga Prefektura e Qarkut të Gjirokastrës. Sipas ambientalistes, nuk është fjala thjesht për dëmtimin e peizazhit natyror, pasi ai me investime edhe mund të rehabilitohet, por më problem është fati i 7-8 burimeve termale në të dy anët e rrjedhës së lumit të Langaricës, të cilat ndonëse në gjendje natyrore, shfrytëzohen intensivisht për kurim nga pacientë dhe banorë nga Përmeti, Gjirokastra dhe gjithë Shqipëria.
Lidhur me ndërtimin e dy hidrocentraleve dhe një lavatriçeje për prodhimin e materialeve të ndërtimit me material dhe ujë të shtratit të Langaricës ka reaguar edhe gjeofizikanti akademik Alfred Frashëri, një nga specialistët dhe studiuesit e ujërave termale të Shqipërisë. Sipas tij, ndërhyrja për përdorimin e ujërave dhe materialeve të lumit dhe Kanionit të Langaricës, rrezikojnë seriozisht ekzistencën e burimeve termale qindra shekullore të Bënjës. Vetë fshati më afër këtyre burimeve termale prej shekujsh quhet Bënjë, fakt që dëshmon se ujërat termale të saj janë shfrytëzuar në shekuj nga banorët vendas.
Ambientalistja Ornela Çuçi, koordinatore e implementimit të masterplanit shpjegon se vlerat dhe pasuritë e biodiversitetit natyror, relievit, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe resurset turistike të kësaj zone janë studiuar dhe janë përcaktuar si faktorët bazë për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të turizmit alternativ, ndërmarrjen e hapave pozitivë dhe me plane afatgjata me qëllim orientimin e investimeve në hapësirat e turizmit alternativ, përshtatjen e infrastrukturës, ringjalljen e traditave të etnografisë, folklorit dhe kulinarisë tradicionale me qëllim shtimin e numrit të turistëve dhe vizitorëve në këto zona me peizazh dhe pasuri natyrore dhe kulturore tradicionale. “Në këtë program afatgjatë janë parashikuar investime në përshtatje dhe shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të tregut të turizmit alternativ, kurrsesi nuk janë të parashikuara ndërhyrje kaq brutale në zonë sikurse janë hidrocentralet dhe nyjat e shfrytëzimit të shtratit dhe bregut të lumit të Langaricës për prodhimin e inerteve për ndërtim. Nuk ka asnjë siguri dhe garanci se këto ndërhyrje nuk do të ndikojnë në shterimin e ujërave të burimeve termale, apo të vetë rrjedhës së ujit në stinët me prurje minimale”, nënvizon ambientalistja. Sipas saj, prodhimi dhe furnizimi me energji elektrike i popullsisë është një nevojë, por gjithsesi ky burim i përsëritshëm energjie nuk duhet të na çojë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të burimeve dhe vlerave të tjera me ndikim të madh në zhvillimin ekonomik e social të zonës.
Vendndodhja e Kanionit
Kanioni dhe rrjedha e lumit të Langaricës, përbën një nga degët më të mëdha që ushqejnë krejt zonën burimore të Vjosës, ndërkohë që burimet termale ndodhen jo më larg se 5 km larg qytetit të Përmetit dhe rruga për të shkuar te ky vend i shenjtëruar, devijon nga rruga nacionale Përmet – Korçë vetëm 200 – 300 metra pa arritur në qendër të komunës në Petran. Padyshim, lumi i Langaricës, kjo degë e fuqishme për Vjosën që për vendasit është “lumi i bekuar”, rrjedh me forcë përmes një kanioni spektakolar shkëmbor të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Dangëllisë dhe Shqerisë dhe që “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit të tij me Aos-in e lashtë apo Vjosën e kohës tonë. Peizazhi natyror i këtij lumi deri tani të harruar, është nga më piktoreskët në gjithë Shqipërinë. Peizazh i bukur, i frikshëm dhe i ndryshueshëm sipas stinëve. Katër stinët kanë katër peizazhe të ndryshme dhe të mahnitshme. Është vërtet një lumë misterioz, i bukur dhe i begatë. Në dimër, Langarica “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit. Shtrati i këtij damari ujor malor, që fillimin e ka diku në lartësitë e Shqerisë e Dangëlllisë pranë zonave tashmë krejt të braktisura nga banorët të Frashërit, Miçanit, Delvinës, Melanit, Koblarës deri në kufi me rrethin e Skraparit. Prurjet e jashtëzakonshme gjatë dimrit e ndryshojnë për vit konfiguracionin e territorit përreth Urës së Katiut, një monument i rrallë kulture.
Ujërat termale
Peizazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike, ndërsa ujërat termale që burojnë rrëzë shpellave të kaltra dhe me një aromë të lehtë sulfuri, pasi dalin nga rrëzat e shtratit të lumit derdhen në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit të Langaricës. Çdo fillim sezoni, përreth burimeve termale vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “çudibërëse” për të krijuar pellgje ku gjatë sitën së verës zhyten mijëra njerëz që kërkojnë të gjejnë shërim e derman për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmës. Pjesa më e madhe e vizitorëve dhe frekuentuesve të këtij mjedisi të përkryer nga pikëpamja e peizazhit dhe tepër kurativ, janë njerëz të thjeshtë nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe Gjirokastra, por gjen mes tyre edhe të ardhur nga Tirana dhe qytete të tjera. Të dy brigjet e kanionit dhe pellgjet e formuar nga ujërat sulfurore janë të mbipopulluar nga pushuesit, por pjesa më e madhe e tyre qëndron në burimet që ndodhen pranë Urës së Katiut, një monument i ndërtuar qysh në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Burimet termale të Bënjës janë një fenomen vërtet të rrallë natyror. Të gjitha burimet kryesore me ujëra termale sulfurore ndodhen shumë afër me njëri-tjetrin në një gjatësi që nuk shkon më shumë se një kilometër dhe të gjitha këto rrethana krijojnë kushte për investime me interes. Sipas studiuesve, zanafilla e burimeve termale të Bënjës dhe Sarandoporit mund të jetë e njëjtë, pasi ato dalin nga dy shpatet e luginës së Vjosës nga ku shpërthejnë burime të fuqishme uji me temperaturë 30 gradë Celcius dhe me prurje të konsiderueshme dhe të pandërprerë në të katër stinët e vitit. Dalja e ujërave të nxehta të burimeve termale të Bënjës dhe Sarandoporos në sipërfaqe, sipas ekspertëve të hidrogjeologjisë, ka mundësi të kenë lidhje me dy arsye: e para, me kontaktin e ujërave me ndonjë thyerje të thellë tektonike në gjendje aktive dhe të vijueshme, dhe e dyta, me kontaktet e mundshme të rrjedhjeve nëntokësore me gazrat termo-minerale të Postenanit, gazra të cilat dalin në rrëzë të një shkëmbi në formë avujsh të nxehtë. Sipas gojëdhënave të vendasve, këto burime janë shfrytëzuar qysh para 400 – 500 vjetësh nga pacientë të ardhur nga tri drejtime: nga krahu perëndimor Gjirokastër-Tepelenë-Përmet-Çarshovë; krahu lindor Korçë-Ersekë-Leskovik dhe nga drejtimi juglindor Janinë-Konicë-Merxhan. Ekzistojnë mundësi të mëdha që këto mjedise të rijetëzohen dhe të kthehen në pika të fuqishme të turizmit dhe kurimit me funksionim gjithëvjetor.