Devid Bekham, jeta midis futbollit dhe modës.

Jurges Veizaj Lojtari që është bërë simbol i futbollit, për shkak të imazhit të tij si njeri. Jeta e një adoleshenti anglez që u kthye në nj...

Jurges Veizaj
Lojtari që është bërë simbol i futbollit, për shkak të imazhit të tij si njeri. Jeta e një adoleshenti anglez që u kthye në një fenomen në mbarë botën.
 
Devid Bekham është një ndër lojtarët më popullorë në botë. Britaniku, përveçse një futbollist i shkëlqyer, ka edhe nofkën e seks-simbolit, çka e bën edhe më të shikuar. Të gjithë kanë folur për “Becks mania”. Shumë shpesh përkufizohet si lojtari që bëri femrat të ndiqnin futboll. Ndërsa nga disa të tjerë njihet si mjeshtri i goditjeve të dënimit. Ish-lojtari i Mançester Junajtidit, Real Madridit dhe LA Galaksi, Devid Bekam tashmë është i tërhequr nga futbolli i luajtur. Vendimin e vështirë e bëri publik vetë ish-kapiteni i Anglisë, që për vite me radhë shkëlqeu në fushën e blertë duke u shndërruar në njërin prej futbollistëve më të talentuar dhe më të paguar në botën e futbollit vitet e fundit. Aventura e tij e fundit ishte kampionati francez. Në muajin janar nënshkroi një kontratë 5-mujore me PSG ku përfitoi një pagë të majme, të cilën e dhuroi që të gjithën për bamirësi. Fjala e tij e kur mbylli ndeshjen e tij të fundit ishte: “Falënderoj shokët e mi, të gjithë trajnerët e mëdhenj që kam pasur dhe tifozët”.
Karriera
Mesfushori që e nisi karrierën te Mançester Junajtid, për të vijuar më pas me Realin e Madridit, Los Anxheles Galaksi, Milanin dhe ekipin francez, konsiderohet si ikona e futbollit ishullor, por edhe një imazh i suksesshëm për kopertinat e revistave. Pavarësisht ofertës së shoqërisë parisiene për zgjatjen e kontratës edhe me një sezon, 38-vjeçari vendosi t’i varte këpucët në gozhdë, duke finalizuar një karrierë që njeh suksese të jashtëzakonshme. Nëpërmjet një komunikate të shkurtër, Bekam falënderoi Paris Sen Zhërmenin që i dha mundësinë të luante sërish në nivele të larta, por shtoi se ky është momenti duhur për t’u tërhequr. 115 është numri i ndeshjeve të numrit 7 me fanellën e kombëtares së Anglisë ku ka shënuar edhe 17 gola, ndërsa karriera te Mançester Junajtid përfshin 394 ndeshje dhe 85 rrjeta në total. Rrugëtimi i Devidit në vitin 2007 në Spanjë nuk rezultoi shumë i suksesshëm, pasi ai e gjeti veten mes një skuadre ëndrrash, duke humbur dalëngadalë edhe besimin te vetja, çka e detyroi të transferohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si “merengues” Bekam u aktivizua në 116 takime, duke shënuar 13 gola, ndërsa në dy ndalesat e shkurtra në Milano ai regjistroi 29 takime të luajtura. Stenda me trofe është e pasur ku përfshihen 6 tituj Premier League, një në La Liga, dy në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një në Ligue One. Në turnetë ndërkombëtare nuk mungon as trofeu i Champions League i fituar në finalen e vitit 1999 kundër Bajernit të Mynihut, por edhe një Kupë Interkontinentale. Futbolli për Bekamin ka shërbyer edhe si një trampolinë, pasi brenda pak kohësh pas sukseseve të para në karrierë, ai u kthye në një seks-simbol, i ndihmuar edhe nga imazhi i bashkëshortes së tij, Viktoria Bekam, e cila e ka ndjekur karrierën e tij hap pas hapi deri në ditën e fundit si lojtar profesionist. Bekam ndoshta nuk është një nga më të mirët e brezit të tij në lojën e topkëmbës, por pa dyshim që ai mbetet një nga njerëzit më interesantë në botën e marketingut, sepse mjafton që të përmendet emri i tij dhe fanellat në mbarë botën arrijnë numër rekord shitjesh, duke arkëtuar edhe miliona dollarë në llogari të klubeve ku është aktivizuar. Gjithsesi, karriera jashtë fushës së blertë nuk e eklipson gjenialitetin e tij në fushë, sepse Bekam do të mbetet Bekam, unik në llojin e tij dhe i padeshifrueshëm në teknikën e lartë me topin.


Fakte nga jeta e Devid Bekhamit
Babai i Devidit, tifoz i Junajtidit, gjyshi i Totenhemit
Bekam ka lindur në Londër. Babai i tij ishte një tifoz i Mançester Junajtid dhe shumë shpesh bashkë me të birin shkonin në “Old Trafford” për të ndjekur ndeshjet e skuadrës së zemrës. Ky pasion për “djajtë e kuq” iu transmetua edhe Devid, megjithëse gjyqi ishte një tifoz i madh i Totenhemit.

Martesa e shtrenjtë me Viktorian
Në vitin 1997 Bekam nisi të frekuentonte Viktoria Adamsin, këngëtare angleze dhe anëtare grupit famoz Spice Girls. Çifti tërhoqi menjëherë vëmendjen e medias që u vunë edhe nofkën “Posh dhe Becks”. Bekam u martua me këngëtaren në kështjellën e Luttrellstown, afër Dublinit, më 4 korrik 1999, duke ia dhënë ekskluzivitetin e eventit revistës “OK”. Për 1,5 milionë euro, edhe pse shumë gazeta të tjera arritën të realizonin foto. Kostoja e dasmës shkoi afërsisht 500.000 stërlina, martesa më e kushtueshme në botë sipas një klasifikimi të revistës “Forbes” në 2007.

Simbol në fushën e publicitetit
Përveç aftësive të tij në fushën e blertë, Bekam u bë i njohur në botën e futbollit veçanërisht për faktin se u kthye në një prej njerëzve simbol në fushën e publicitetit. Madje, famën më të madhe Bekam e arriti pikërisht falë spoteve dhe fushatave të shumta publicitare, se sa në fushën e blertë. Madje rrjeti amerikan “NBC” transmetoi një spektakël televiziv për ardhjen e Bekam në Shtetet e Bashkuara.

Reagime për largimin e Bekamit
Stiv Meklaren (ish-trajner anglez)
“Ai është një lojtar i madh. Ai kishte të gjitha kualitetet falë punës dhe profesionalizimit të tij. Ai bënte gjithçka më shumë gjatë stërvitjes duke inspiruar shokët e ekipit për të rritur performancën e tyre. Në fund të karrierës ai është një ambasador fantastik për futbollin dhe për vendin e tij në botë”.
Gari Nevill (ish-shok skuadre i Bekam te Mançester Junajtid)
“Ai është një ndër mesfushorët më të mirë që unë kam njohur, ashtu si dhe Gigs, Kin e Skolls. Devid ka qenë një centrues i madh, një pasues i madh, ai kishte energji të jashtëzakonshme. A ka kontribuar në ndryshimin e futbollit në Angli, ai ishte emisar i Anglisë në botë”.
Roi Hoxhson (trajner i Anglisë)
“Ai është një lojtar fantastik, jo vetëm në klub, por edhe në ekipin e Anglisë. Ai bënte gjithnjë më të mirën kur i kërkohej”.

Skeda e lojtarit
DEVID BEKHM
Data e lindjes: 2 maj 1975
Vendi i lindjes: Leytonstone (Angli)
Nënshtetësia: Angleze
Gjatësia: 1,82 m
Pesha: 74 kg
Disiplina: futboll
Posti: mesfushor
Klubet ku ka luajtur: Mançester Junajtid (1992-2003), Real Madrid (2003-2007), Los Anxheles Galaksi (2007-2012), Paris SG (2013)
Huazime: Preston (D4/mars 1995-qershor 1995), AC Milan (janar-qershor 2009 dhe janar-mars 2010)
Ndeshje me kombëtare: 115 (1996-2009)
Gola me kombëtaren: 17

Trofe të fituar nga lojtari
-Liga e Kampioneve: fitues (1999)
-Kupa Interkontinentale: fitues (1999)
-6 kampionate të Anglisë (1996, 1997, 1999, 2000, 2001, 2003)
-2 Kupa të Anglisë (1996, 1999)
-2 Community Shields (1996, 1997)
-1 kampionat të Spanjës (2007)
-1 Superkupë të Spanjës (2003)
-2 tituj të Ligës Amerikano-Veriore /MLS (2011, 2012)
-1 titull të kampionit të Francës (2013)

Related

Showbiz 8930958082697822224

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item