Gandi para gjyqit/ Refuzoj të blej lirinë, duke shitur bindjet

Speciale/ Për herë të parë portreti i plotë i Gandit nën interpretimin dhe analizën e Ilir Hashorvës, duke na vënë në dispozicion procesin g...



Speciale/ Për herë të parë portreti i plotë i Gandit nën interpretimin dhe analizën e Ilir Hashorvës, duke na vënë në dispozicion procesin gjyqësor ndaj tij më 1922

Ilir Hashorva

Më 18 mars të vitit 1922, në Ahmedabad, Gandi u nxor në gjyq së bashku me botuesin e tij, Z. Banker, i cili shtypte gazetën “Young India” në të cilën shkruante Gandi. Midis publikut, në sallën e gjyqit gjendeshin Kasturbai Gandi, Saroxhini Naidu dhe Pandit Malaviya. Gjykatës ishte Z. Brumfild (Broomfield). Ai në drejtimin e çështjes dhe në sjelljen ndaj të akuzuarve, shpalosi traditat më të mira të drejtësisë angleze.
Gjyqi, për nga proceduara e zhvillimit dhe nga mënyra se si folën dhe se si u sollën protagonistët: Gandi, vetë gjykatësi, prokurori dhe të pranishmit, mund të thuhet se ishte model. Të dy, Gandi dhe Bankeri, akuzoheshin se ishin orvatur të krijonin pakënaqësi dhe rebelim ndaj qeverisë në Indinë Britanike. Akuzat bazoheshin mbi tre artikuj të botuara në gazetën “Young India” në fund të vitit 1921 dhe në fillim të vitit 1922. Gandi dhe Bankeri nuk pranuan mbrojtje. Në shkrimet e Gandit të botuara në gazetën “Young India,” shkrimet për të cilat ai akuzohej, ndërmjet të tjerave, thuhej:
“… Mosbashkëpunimi, edhe pse është një lëvizje religjioze dhe krejtësisht morale, synon, me qëllim, të përmbysë qeverinë dhe, prandaj, legalisht, ai është rebelues në termat e Kodit Penal Indian…
“…Ne po e sfidojmë forcën e kësaj qeverie, sepse e konsiderojmë aktivitetin e saj si të keq… Ne duam që qeveria t’i nënshtrohet vullnetit të popullit. Ne duam të tregojmë se qeveria krijohet që t’i shërbejë popullit dhe jo populli qeverisë… Ne refuzojmë të blejmë lirinë, duke shitur bindjet tona… Do të jetë njëmijë herë më mirë për ne të qeverisemi nga një diktaturë ushtarake, sesa të kemi një diktaturë të fshehur pas këshillave dhe asambleve të shitura. Ato zgjasin agoninë dhe rrisin koston… Nuk ka liri të ngadaltë. Liria është si lindja. Përderisa s’jemi krejtësisht të lirë, jemi skllevër. E gjitha lindja zhvillohet brenda një çasti…”
“…Asnjë perandori, e dehur me verën e kuqe të fuqisë dhe me shfrytëzimin e racave më të dobëta, nuk ka jetuar gjatë në këtë botë. Britanikët duhet ta dinë se lufta që filloi në vitin 1920 është një luftë që do të përfundojë. Ajo mund të zgjasë një muaj apo një vit, shumë muaj apo shumë vite… Shpresoj dhe i lutem Zotit që t’i japë Indisë aq përulësi dhe forcë, sa të mbetet e pa dhunshme gjer në fund..”.
Pasi u lexuan akuzat, u pyetën të akuzuarit nëse i pranonin ato. Të dy i pranuan. Gjykatësi donte ta jepte menjëherë vendimin, por prokurori, Z. Strangman, kërkoi që të kiheshin parasysh jo vetëm artikujt e shkruar, por edhe ngjarjet në Bombei, në Madras dhe në Çauri Çaura të cilat ishin frymëzuar nga shkrime të atilla dhe kishin çuar në vrasje e krime. Prokurori pranoi se në artikujt nga rridhnin akuzat mosdhuna pranohej si kredo, por shtoi se, “nuk kishte shumë rëndësi pse ngulje këmbë në mosdhunën, kur pa pushim ndizje pakënaqësinë ndaj qeverisë, e konsideroje atë si tradhtare dhe, hapët dhe me qëllim, nxitje të tjerët ta rrëzonin atë”. Ai kërkoi të dënoheshin të akuzuarit në atë frymë.
Gandi dhe Bankeri u deklaruan fajtorë. Kur u pyetën nga gjykatësi nëse dëshironin të bënin paraprakisht ndonjë deklaratë, e mori fjalën Gandi, i cili tha:
“Përpara se të lexoj deklaratën, dua të them se i pranoj plotësisht vërejtjet e prokurorit…. Nuk kam dëshirë ta fsheh nga ky gjyq të vërtetën se paraqitja e pakënaqësisë ndaj sistemit ekzistues të qeverisë ishte bërë pothuaj pasion për mua dhe se prokurori ka plotësisht të drejtë kur thotë se predikimi im i pakënaqësisë nuk filloi me shkrimet tek “Young India”, por shumë më parë dhe në deklaratën që do të lexoj, do të tregoj se predikimi ka filluar, vërtet, shumë më parë. Është detyrë e vështirë, por unë duhet ta kryej, duke ditur përgjegjësinë që mbaj mbi vete. Unë e pranoj fajin që më vë prokurori për ngjarjet e Bombeit, të Madrasit dhe të Çauri Çaurës. Duke menduar thellësisht për to, e kam të pamundur ta shkëpus dhe ta shfajësoj veten nga krimet djallëzore që u kryen në to. Prokurori ka plotësisht të drejtë kur thotë se një njeri i përgjegjshëm, një njeri që ka marrë njëfarë arsimi, që ka njëfarë përvojë nga punët e botës, duhet të njihte pasojat e veprimeve të tij. Unë i di ato. E dija që luaja me zjarrin. E dija rrezikun. Por, edhe në qoftë se do të lihesha tashti i lirë, do të bëja po atë…
“Doja të shmangej dhuna. Mosdhuna është neni i parë i besimit tim. Ajo është gjithashtu edhe neni i fundit i bindjes sime. Por unë duhej të bëja zgjedhjen: ose t’i nënshtrohesha një sistemi që besoja se i kishte bërë një dëm të pa riparueshëm vendit tim, ose të rrezikohesha nga vrulli i çmendur i popullit… E di se populli im nganjëherë çmendet. Më vjen vërtet keq për këtë dhe prandaj jam këtu t’i nënshtrohem jo një dënimi të lehtë, por dënimit më të rëndë. Nuk kërkoj mëshirë. Nuk kërkoj rrethana lehtësuese… Nuk pres ta ndjeni tashti, por kur ta kem mbaruar deklaratën, jam i sigurt se do të ndjeni sado pak atë që zien brenda meje, atë që më bën të rrezikoj marrëzisht, atë që më bën të veproj ashtu siç duhet të veprojë një njeri i ndershëm.
“Ndjeva këtë mëngjes se do të kisha dështuar në detyrën time, në qoftë se nuk do të thosha këto që sapo thashë..”.
Më pas, duke folur me një zë të butë e të qetë, Gandi lexoi deklaratën e përgatitur. Ai nuk mbrojti veten, por nuk pranoi as fajin. Ai i dha një goditje dërrmuese qeverisjes britanike në Indi. Fillimisht shpjegoi arsyet se pse u kthye nga një mbështetës i Perandorisë Britanike në një nacionalist jo bashkëpunëtor, pastaj paraqiti të drejtën e Indisë për të qenë e lirë dhe, më në fund, tha:
“Ligji në këtë vend është bërë për t’i shërbyer shfrytëzuesit të huaj. Shqyrtimi i paanshëm i Ligjit Ushtarak të Punxhabit, më ka bërë të besoj se të paktën nëntëdhjetë e pesë për qind e dënimeve që ka dhënë ai gjyq, kanë qenë krejtësisht të padrejta. Përvoja ime në çështjet politike më ka çuar në përfundimin se nëntë nga dhjetë të dënuarit kanë qenë krejtësisht të pafajshëm. Krimi i tyre i vetëm ka qenë dashuria për atdheun. Në nëntëdhjetë e nëntë raste nga njëqind, indianëve u është mohuar drejtësia kundrejt të bardhëve. Kjo nuk është një pamje e zmadhuar. Kjo është përvoja e pothuaj çdo indiani që është ndeshur me raste të tilla. Sipas mendimit tim, me administrimin e ligjit është abuzuar, me dashje apo pa dashje, në të mirë të shfrytëzuesit.
“Fatkeqësia më e madhe është se anglezët dhe shokët e tyre indianë në administratën e vendit nuk e dinë se janë pleksur në krimin që u përpoqa të përshkruaja…. Shumë anglezë dhe zyrtarë indianë besojnë me ndershmëri se po administrojnë një nga sistemet më të mira në botë dhe se India po bën përparime të qëndrueshme, ndonëse të ngadalta. Ata nuk dinë se një sistem i pandjeshëm, por efektiv i terrorizmit, së bashku me një shpalosje të organizuar force nga një anë, dhe heqja e çdo mundësie kundërpërgjigjeje për vetëmbrojtje nga ana tjetër, e kanë zhburrëruar popullin indian dhe i kanë injektuar atij zakonin e simulimit…
“Seksioni 124 A, nën të cilin unë po akuzohem, është, ndofta, kryesori ndërmjet seksioneve politike të Kodit Penal Indian, i shpikur për të mbytur liritë e qytetarëve. Dashuria nuk mund të fabrikohet apo të rregullohet me ligj. Në qoftë se dikush nuk ka dashuri për një person apo për një sistem, ai duhet të jetë i lirë ta shprehë atë, përderisa nuk mendon, nuk zhvillon apo nuk nxit dhunë. Por, seksioni nën të cilin unë dhe Z. Banker po akuzohemi, është një nga ato që konsideron krim edhe paraqitjen e pakënaqësisë. Kam studiuar disa nga rastet e dënimeve dhe di se disa nga patriotët më të dashur indianë janë dënuar me atë ligj. E konsideroj si privilegj edhe akuzimin tim nën atë ligj.
“Jam përpjekur të jap shkurt arsyet e pakënaqësive të mia. Unë nuk kam ndonjë pakënaqësi personale ndaj ndonjë administratori dhe aq më pak kundrejt personit të Mbretit. Por, e konsideroj si virtyt të jem i pakënaqur me qeverinë e cila në përgjithësi i ka bërë Indisë dëmin më të madh se çdo sistem tjetër më parë. India është më pak burrërore nën qeverisjen britanike. Duke besuar kështu, konsideroj si mëkat të kesh dashuri për atë sistem. Ka qenë privilegj i çmuar për mua që kam pasur mundësi të paraqisja në shkrime të ndryshme ato që tashti merren si fakte kundër meje.
“Në të vërtetë unë besoj se i kam bërë shërbim njëkohësisht Indisë dhe Anglisë, duke treguar me mosbashkëpunimin rrugën për të dale nga ajo gjendje e panatyrshme në të cilën jetojnë që të dyja. Në opinionin tim të përvuajtur, mosbashkëpunimi me të keqen është po aq detyrë sa dhe bashkëpunimi me të mirën. Në të shkuarën, mosbashkëpunimi ka qenë shprehur me dhunë, dëmtime e keqbërje. Unë jam përpjekur t’i tregoj bashkatdhetarëve të mi se mosbashkëpunimi i dhunshëm e shton të keqen…
“Mosdhuna nënkupton nënshtrim vullnetar ndaj ndëshkimit për mosbashkëpunimin me të keqen. Jam i gatshëm t’i nënshtrohem me gëzim dënimit më të madh që mund të më jepet për atë që ligji e quan krim me vetëdije, kurse unë e quaj detyrën më të lartë të qytetarit…
“E vetmja rrugë e hapur për ju, Z. gjykatës, është që, ose të jepni dorëheqjen nga posti që keni dhe t’i jepni fund lidhjes me të keqen, në qoftë se ndieni se ligji për të cilin jeni thirrur për ta administruar është i keq dhe se unë jam i pafajshëm, ose të më jepni dënimin më të rreptë, në qoftë se beson se sistemi dhe ligji janë në të mirë të popullit dhe të vendit dhe se aktiviteti im është i dëmshëm për të mirën e përgjithshme”.
Këtu Gandi mbylli deklaratën. Më tej, e mori fjalën gjykatësi i cili tha:
“Z. Gandi, në njëfarë mënyre ju ma lehtësuat detyrën, duke pranuar fajësinë. Megjithatë, ajo që mbetet, domethënë, përcaktimi i një dënimi të drejtë, nuk është edhe aq i lehtë për një gjykatës. Ligji nuk ka respekt për personin. Prapë, nuk është e mundur të injorosh të qenit tuaj, në sy të miliona bashkatdhetarëve tuaj, një patriot dhe një udhëheqës i madh. Edhe ata që ndryshojnë prej jush në politikë, ju shohin si njeri me ideale të larta dhe më një jetë fisnike dhe shenjtore. Unë duhet të merrem vetëm me një nga karakteret tuaja. Nuk është detyra ime dhe as nuk mendoj t’ju gjykoj apo t’ju kritikoj në ndonjë karakter tjetër. Është detyra ime t’ju gjykoj si një njeri që duhet t’i nënshtrohet ligjit i cili, ashtu siç pranoni vetë, e ka thyer dhe ka kryer veprimin që, për një person të zakonshëm, do të ishte një krim i rëndë kundër shtetit.
“Unë e di se ju keni predikuar kundër dhunës dhe në shumë raste keni bërë mjaft për ta ndaluar atë. Por, edhe pse kam respekt për natyrën e mësimeve politike tuaja dhe për natyrën e shumë prej atyre të cilëve u je drejtuar, nuk kuptoj se si keni mundur të besoni se dhuna nuk do të pasonte pashmangshmërisht veprimet e tyre?… E keni bërë të pamundshme për çdo qeveri t’ju lejë të lirë.
“Po përpiqem të balancoj atë që meritoni kundrejt asaj që më duket e nevojshme për interesat e publikut. Propozoj që vendimi të ndjekë një rast të mëparshëm të dymbëdhjetë vjetëve më parë, në shumë anë i ngjashëm me tuajin. E kam fjalën për çështjen kundër Gangadhar Tilakut. Vendimi që u dha atëherë për të ishte burgim për gjashtë vjet. Nuk besoj ta konsideroni atë vendim si të pa arsyeshëm. Unë them se ju duhet të klasifikoheni me Z. Tilak, d.m.th. t’ju jap edhe juve gjashtë vjet. Kjo, mendoj, është detyra ime.
“Dua të shtoj edhe se, në qoftë se gjendja do të lejojë që qeveria ta reduktojë periudhën e burgimit tuaj e t’ju lirojë para kohe, duhet ta dini se asnjë nuk do të gëzohet më shumë se unë “.
Gandi, duke buzëqeshur, shtoi:
“Dua të them edhe dy fjalë. Meqenëse më bëtë një nder të madh, duke përmendur gjyqin e të ndjerit Gangdhar Tilak, po ju them se e konsideroj privilegjin më të mirë dhe nderimin më të madh që më lidhët me atë emër. Për sa i përket dënimit, e konsideroj atë si më të lehtin që mund të më jepej dhe, për sa i përket zhvillimit të gjyqit, mund të them se nuk mund të prisja mirësjellje më të madhe”.
Një kronikë indiane e kohës e përshkroi kështu skenën e përfundimit të gjyqit:
“Pasi gjyqtari la sallën, miqtë e Z. Gandi u mblodhën rreth tij. Ata i ranë tek këmbët. Të gjithë: burra e gra, të prekur, qanin me dënesë. Gjatë gjithë kohës, Z. Gandi gjakftohtë, u buzëqeshte e u jepte zemër. Pasi miqtë u ndanë me të, Gandin e çuan nga gjykata në burgun Yerevada”.
Gjyqi pati jehonë të thellë në të gjithë Indinë. Shumë e krahasuan gjyqin e Gandit me gjyqin e Sokratit. Ky nuk ishte rasti i fundit që Gandi u arrestua dhe u burgos, por ky ishte rasti i fundit që Gandi u gjykua.



Morali në mendimin e Gandit
“Gandi – analiza e komente për Gandin dhe gandizmin” është vëllimi i tretë dhe i fundit i një studimi për Gandin dhe gandizmin, prej Ilir Hashorvës. Në të jepen një sërë analizash e komentesh në formë esesh për të zbërthyer anë të veçanta të mendimit dhe veprimtarisë së Gandit. Një vëmendje e veçantë i kushtohet krahasimit të gandizmit me rryma të tjera politike e filozofike botërore të kohës dhe, sidomos, rolit që mund të kishte pasur njohja dhe ushtrimi i gandizmit në Shqipëri në uljen e tiranisë komuniste, në dhënien e një fytyre më njerëzore komunizmit, në daljen e shqiptarëve dhe, sidomos, të intelektualëve nga komunizmi ballëlartë e jo kokulur si dhe arsyet se përse këto nuk ndodhën.
Parimi bazë i Gandit, kryeparimi i tij, është “e vërteta”. Në bazë të këtij parimi, rrjedh një filozofi e tërë pozitive, revolucionare e emancipuese, e nevojshme për çdo kulturë e etni popujsh, e nevojshme për çdo njeri. Për Gandin, “e vërteta” është ajo që të thotë zëri tënd i brendshëm, është ajo që ti ndien vërtet si të vërtetë. Përnjëherë, në bazë të këtij përkufizimi, eliminohet shtirja, hipokrizia, dyfytyrësia. E vërteta është kriteri më i drejtë që mund të përdoret në jetë për qëndrimin që duhet mbajtur dhe për vlerësimin që duhet të jepet. Natyrisht, “e vërteta” nuk është një parim i lehtë për t’u mbajtur.
Gandi u shqua si prijës i tipit të ri, sepse përdori metoda dhe rrugë morale të tilla, të cilat të tjerët nuk i përdornin dot jo vetëm nga mungesat në karakter, por ngase i konsideronin edhe si joefikase. Gandi provoi se njeriu duhet dhe mund t’i përdorë ato metoda dhe se ato janë edhe efikase. Gandi është i pari dhe i vetmi drejtues që nuk vë vetëm qëllimin në qendër të kujdesit, por në të njëjtin vend me qëllimin, në mos edhe më lartë, vë dhe mjetin për të arritur atë qëllim. Ndërsa Makiaveli për të arritur qëllimin, justifikonte çdolloj mjeti, dhe po ashtu kanë bërë dhe bëjnë pothuaj të gjithë ata që kanë marrë role drejtuesish, Gandi i qëndroi mendimit dhe praktikës se qëllimi dhe mjeti duhet të përkojnë, se ata duhet të jenë njëlloj të moralshëm. Mjetet, insiston ai, nuk janë thjesht instrumente, ato janë vetë qëllimi, qëllimi në zhvillim e sipër, janë krijueset e qëllimit, janë shprehje e vlerave të qëllimit. Për Gandin, qëllimi paraekziston tek mjetet dhe se, po të jenë mjetet e mira, po të jenë ato të pastra, do të vijë me siguri edhe fund i mirë.
Në terma praktike, të mos pranosh mjete të këqija për të arritur qëllimin, do të thotë të mos pranosh asnjë veprim imoral edhe kur thuhet se ai ndihmon një çështje të mirë, pra të mos pranosh, për shembull, gënjeshtrën, mashtrimin, diplomacinë, demagogjinë, fshehtësinë, vrasjen, edhe kur thuhet se ato përdoren për “qëllime të mira”: për të mbrojtur vendin, për të mbrojtur fenë, për të mbrojtur njerëzimin, partinë, klasën, sistemin, socializmin, demokracinë, ekonominë e tregut etj. Mjetet imorale nuk mund të sjellin kurrë përfundime morale. Mjerisht, sot idealizmi vihet re gjithnjë e më pak midis njerëzve dhe drejtuesve dhe vendin e tij po e zë pragmatizmi vulgar. Gandi ishte idealist i qëndrueshëm. Për të, mendimet nuk duheshin ndryshuar sipas leverdisë dhe rrethanave: “Njeriu duhet ti formojë bindjet e tij ngadalë, por pasi t’i ketë formuar, duhet t’i mbrojë ato në çfarëdolloj kushtesh”. Kështu, ai ishte kundër oportunizmit dhe dyfytyrësisë.
Pyet Hashorva, cila është trashëgimia më e vyer që ka lënë Gandi? Dhe përgjigjet: Mendimet janë të ndryshme, pasi dhe fushat që ka trajtuar e ku ka vepruar ai janë të ndryshme e të shumta. Vlerësimi i trashëgimisë së Gandit varet kryesisht nga vetë niveli dhe predispozicioni botkuptimoro-moral i atij që studion Gandin. Dikush mund të thotë se kryeparimi i tij “E vërteta” është më i vlefshmi, është parimi që të bën të arsyetosh kurdoherë mirë e drejtë. Një tjetër mund të thotë se qëndresa civile është kryevepra e Gandit. Një i tretë mund të thotë se synim për çlirimin e njeriut nga çdo nënshtrim e zgjedhë, është me shumë vlerë. Një tjetër mund të thotë se ngritja që ai i bëri gruas indiane, emancipimit të saj, pjesëmarrjes së saj aktive në problemet politike e sociale të vendit, është një tjetër fushë me shumë rëndësi për të cilën ai duhet çmuar. Reformimi që Gandi i bëri vetes nuk është pa vlerë. Por, duket, se në kushtet që zhvillohet sot në përgjithësi politika, zhveshja e saj nga korrupsioni, vjedhja, gënjeshtra, mashtrimi, demagogjia, hipokrizia, sharlatanizmi, me një fjalë, zhveshja e saj nga imoraliteti, mund të jetë kryevepra e Gandit. Përsëri pyet Hashorva: cilat ishin fitoret e Gandit? Dhe përgjigjet: Fitoret e Gandit nuk mund t’u përshtaten standardeve që kemi ne për fitoret. Ato nuk kanë të bëjnë mundjen asgjësuese apo poshtëruese të kundërshtarit që janë të vetmet që ne i konsiderojmë për fitore. Fitoret e Gandit kanë të bëjnë me përmirësimin moral të individit, të shoqërisë dhe njerëzimit, përmirësim që duhet të jetë synimi kryesor i botës. Dhe, këtu Gandi arriti atë që nuk e kishte arritur asnjë para tij, por edhe pas tij, deri sot.
Re. Ku.

Related

Suplement 7640674155551318782

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item