Stamboll / Shën Sofia, një Mrekulli e Historisë

Harmoni qiellore Para jush shfaqet një ngrehinë në dukje uniforme, e çrregullt, që ngrihet nga qendra historike e Stambollit, qyteti që de...


Harmoni qiellore

Para jush shfaqet një ngrehinë në dukje uniforme, e çrregullt, që ngrihet nga qendra historike e Stambollit, qyteti që deri në shekullin IV quhej Bizant dhe në 330 u bë Kostandinopojë. Mos humbisni shumë kohë duke ekzaminuar këtë shumëzim imponues kupolash, minaresh, muresh rrethues dhe anijatash anësore: mrekullia e vërtetë e Shën Sofisë është në brendësi. Ai që nga jashtë dukej si një kombinim i çuditshëm llaçi dhe tullash, në brendësi shkëlqen në harmoni të përsosur.
Krejt të mahnitur, do të kaloni poshtë parmakëve dhe harqeve të përsosur, do të lini pas kolona të mrekullueshme, kaligrafi dhe mozaikë deri kur të mbërrini në një sallë shumë të madhe, të mbushur me dritë. Zemra juaj do të ndalet një çast, do të mbani frymën dhe do të shqyeni sytë. Si është e mundur? Kush është krijuesi? Por mbi të gjitha: cila është domethënia e gjithë kësaj? Hyni!
Një grumbull rrënojash. Themelimi i Kostandinopojës, janar 532. Zjarret shpërthejnë në kryeqytetin e Perandorisë bizantine, që përfshinte në atë periudhë, Greqinë, Azinë e Vogël, pjesë të Palestinës, të Egjiptit, Italisë dhe Ballkanit. Turma histerike thërret: Nika! Nika! Fito! Fito! Megjithatë, në fund perandori Justiniani I arrin të qetësojë revoltën. Në hipodrom, ku ishte mbledhur populli për të protestuar ndaj mizorisë së perandorit, u hodhën 30 mijë trupa. Në krah, arena e shkatërruar, kisha më e madhe e perandorisë bizantine dhe një grumbull hiri dhe rrënojash.
Pikërisht një prej kryengritjeve më të mëdha të antikitetit krijon premisën për një prej krijesave më madhështore të historisë së artit: rindërtimin e një kishe edhe më të madhe dhe madhështore, e destinuar të marrë famë botërore me emrin grek Hagia Sofia, Shën Sofia (Dija).
Nga ai moment në këtë ndërtesë gjigande, që deri në shekullin XV ishte e krishterë, janë kurorëzuar të gjithë perandorët bizantinë dhe për 900 vite i janë bërë homazhe një Perëndie kristian-ortodoks. Pastaj, pas marrjes së Kostandinopojës nga ana e Sulltanit Mehmeti II në 1453, në këtë kishë të transformuar në xhami janë otomanët që i drejtohen Mekës për pak më pak se 500 vite, nën dritën e llampave të panumërta me vaj. Në vitin 1934 Shën Sofia u shndërrua në muze, me kalimin e kohës llampat me vaj u ndërruan me abazhurë dhe këngët e patriarkëve dhe muezinëve u humbën në eter. Në këtë monument trashëgimi kulturore e UNESCO-s, që sot admirohet nga miliona vizitorë, mundet që vetëm të imagjinosh se sa emocionuese duhet të ketë qenë të ishe i pranishëm në një meshë të krishterë apo një falje të së premtes të recituar nga imami.
Natyrisht, perandori Justinian nuk mund ta dinte që në atë kishë, inauguruar prej tij në 27 dhjetor 537 me një festë solemne, në vijim do të praktikohej një fe e ndryshme nga kristianizmi, një besim që në kohën e tij ende nuk ekzistonte. Justiniani, i quajtur perandori “i pagjumë” për shkak të projekteve të tij të panumërt, është i paraqitur në një mozaik gjigand në foromë ovale, mbi portën anësore jugperëndimore. I saporruar dhe në një veshje mbretërore, ai i afrohet Madonës me Fëmijën, për t’i dhuruar një model simbolik të Shën Sofisë, të ndërtuar prej tij. Në krahun e djathtë, një prej paraardhësve të tij, Konstantini mban në duar qytetin që ka emrin e tij, Kostandinopojë. Ky është vetëm njëri prej mozaikëve të shumtë që zbukurojnë Shën Sofinë, me të cilët artistët bizantinë dekoruan kishën duke demonstruar që me kubëza të vogla gurësh të ngjyrosur, mund të kompozoheshin jo vetëm kryqe dhe yje, por edhe figura të mëdha njerëzish dhe shenjtësh.
Në të kaluarën, vetëm perandorët mundeshin të hynin nga Porta Qendrore. Nga kjo perspektivë mund të kuptohet përse Justiniani, duke aluduar për tempullin legjendar të Solomonit, gjatë inaugurimit të kishës së tij thirri: “Solomon, ta kam kaluar!”
Ideja gjeniale
Ndonjëherë gjërat e thjeshta janë revolucionare, me përqëndrimin absolut në një ide unike. Tek Shën Sofia është Kupola, krenaria e Justinianit. Atyre që përshkojnë portën qendrore u shpaloset në të gjithë shkëlqimin e saj. Edhe sot e kësaj dite shkakton mahnitje: me një perimetër sa dimensionet e një fushe futbolli, disa tonë e rëndë, por që të jep përshtypjen e një peshe shumë të lehtë, ajo ngrihet sikur qëndron pezull në ajër në një lartësi 56 metra, me një diametër 31 metra. Pashmangshmërisht vështrimi ngrihet drejt qiellit, ku në kupolë janë hapur 40 dritare. Kështu duket sikur kisha ndriçohet vetë, sikur të jetë e përshkuar nga një re drite hyjnore.
Projektet e ndërtimit kanë humbur. Që pas vdekjes së Justinianit askush nuk mundej të kuptonte si ishte e mundur të ndërtohej kjo kupolë me mjetet teknike që disponoheshin në atë kohë. Kështu, për pothuajse një mijë vite, deri në përfundimin e Shën Pjetrit në Romë, Shën Sofia nuk ka patur të krahasuar.
Si reaguan të gjithë ndërtuesit e afirmuar kur Justiniani ngarkoi Antemion dhe Isidorin, i pari matematicien dhe fizikan, i dyti gjeometër dhe studiues i statikës, që të projektonin bazilikën me kupolën më të rëndësishme në botë? Ndoshta duke tundur kokën, kur panë se çfarë parimesh po shkelnin dy të rinjtë e sektorit: për herë të parë në historinë e arkitekturës kupola nuk mbështetej në një strukturë mbajtëse rrethore, por vetëm mbi katër kolona katërkëndore, pothuajse të padukshme. Penda komplekse e shkarkojnë peshën e kupolës mbi strukturën katërkëndore. Antemio dhe Isidori kishin në dispozicion njëqind ndërtues, me të cilët koordinonin afro 10 mijë punëtorë. Muret anësorë të ndërtesës u ngritën në kohë rekord. Një sipërmarje e shkëlqyer nga pikëpamje organizative: pas më pak se gjashtë vjet ndërtimi kishte përfunduar. Sa për krahasim: katedralja e Chartres u ndërtua për 26 vite, ajo e Salisbury për më shumë se 40. Vetëm që ndërtimi të kryhej në kohë rekord, për Justinianin asnjë shpenzim nuk ishte i tepruar. Projekti, me të cilin donte të linte një shenjë të dukshme të fuqisë së tij, i kushtoi 145 tonë flori, afërsisht sa 3 miliardë euro sot. Për ta përfunduar edhe më herët, u kërkua të silletn copa prej tempujve të vjetër nga e gjithë perandoria: si, në katin përdhes, Kolonat e Granitit që u sollën prej Tempullit të Artemidës së Hefesit. Veç kësaj, muratorët kursenin kohë duke punuar shtresa llaçi, që pjesërisht janë më të trashë se tullat e përdorura, një detaj i dukshëm ky në muret përreth Rampa-s, që ngrihet drejt galerisë veriore.
Një ekip studiuesish i Universitetit të Princeton në SHBA kanë arritur të zbulojnë të paktën njërin prej shumë sekreteve që rrethojnë këtë ndërtesë gjeniale: llaçi që mban në këmbë Shën Sofinë është i përbërë nga një përzierje pabesueshmërisht moderne, përbërësit e tij – gëlqere dhe silic – janë të ngjashëm me atë të betonit modern dhe e bëjnë veçanërisht elastike. Këto shtresa fleksibël të alternuara me tulla i mundësojnë SHën Sofisë një absorbim të pjesshëm të dridhjeve, dhe duket se janë një prej arsyeve kryesore përse ndërtesa, përveç 3 rasteve (557, 989 dhe 1346) ka rezistuar pothuajse e paprekur ndaj tërmeteve të këtij rajoni.
Një tronditje e një lloji krejt tjetër, por jo më pak shkatërrimtare, goditi Shën Sofinë në 1204. Kalorësit e kryqëzatës së katërt sulmuan qendrën e Lindjes së krishterë. Sulmuan Kostandinopojën dhe përdhosën kishën e Dijes, vandalizuan altarin, i morën gurët e çmuar në altarë, grisën tendën, hoqën lampadarët dhe hynë në vendin e shenjtë me mushka për të tërhequr plaçkën.
Sa traumatizuese duhet të ketë qenë për banorët e Kostandinopojës përdhosja e bazilikës prej vëllezërve të të njëjtit besim fetar? Turpi duhet të ketë qenë më katastrofik se sa pushtimi otoman, që Perandoria e Lindjes, tashmë e reduktuar dukshëm në dimension, duhej ta pësonte më vonë, në 1453.
Transformimi
Historiani Kritobul i Imbrit, në fakt e përshkruan se si Mehmeti II, pas marrjes së qytetit, shëtiste nëpër Kostandinopojën e shkatërruar, i mbushur me mëshirë dhe pendim: “Qau me lot të nxehtë, thërriste fort, i penduar”.
Thuhet se urdhëroi ushtarët e tij që të mos i bënin keq askujt në Shën Sofi. Patriarkut, që ndodhej i shtrirë përdhe, i premtoi liri për të krishterët. Një prej nismave të para të sulltanit ishte të urdhëronte transformimin e kishës në xhaminë kryesore të perandorisë së tij, të hiqte kryqet dhe statujat dhe të shtonte minarenë e parë në zonën juglindore, e që më vonë u zëvendësua nga një konstruksion me tulla të kuqe, që mund të shihet edhe sot.
Sidoqoftë, duket se në përgjithësi sulltani ka qenë një pushtues çuditërisht tolerant, që admironte Shën Sofinë, vendin e shenjtë më të madh që kishin të krishterët. Otomanët nisën madje të kopjojnë arkitekturën e kupolës për ndërtimin e xhamive.
E qartë që edhe dekorimi i brendshëm, mbi të gjitha mozaiku i shkël      qyeshëm i Virgjëreshës me Fëmijën në fron, lart, në Gjysmërrethin e Absidit duhet të ketë mrekulluar Mehmetin. Krishti në majë të Kupolës, atje ku sot shkëlqen vargu i Kur’anit “Allahu është drita e qiellit dhe e tokës” duket se ka qenë i dukshëm deri në shekullin XVII, megjithëse Islami nuk ka lejuar asnjëherë paraqitjen me figurë të qenieve të gjalla, të Zotit apo të hyjnores. Me kalimin e shekujve, otomanët e rregulluan vendin e shenjtë gjithnjë e më shumë si një xhami: për të treguar drejtimin, në absidë u vendos një Kamare e Faljes që tregonte Mekën, e zhvendosur pakës djathtas. Në të djathtë të saj, imami mbante faljen e të premtes.
Shumë shpejt edhe sovrani nisi të falet në ballkonin e Lozhës së Sulltanit dhe nën galerinë veriore spikaste Froni, prej ku Imami lexonte Kur’anin. Nga një tribunë, e quajtur Runmuezin Mahfili, në fund muezini këndonte përgjigjet e tij ndaj lutjeve të imamit. Dhe mbi kolonat mbajtëse të kupolës sulltani Abdul Mexhiti I urdhëroi ngritjen e Medalionëve gjigandë të Drunjtë mbi të cilët janë gdhendur, me një kaligrafi të zbukuruar, emrat e profetit, të Allahut, të katër kalifëve të mëdhenj dhe të nipërve të Muhamedit.
Në një moment të dytë, Pagëzimorja u transformua në mauzoleum të dy sulltanëve dhe përreth Shën Sofisë u ngritën varre të tjerë të sovranëve. Për të mbrojtur edhe më mirë ndërtesën nga tërmetet, arkitektët konsoliduan strukturën mbajtëse dhe me kalimin e shekujve shtuan gjithnjë e më shumë mbështetëse në fasadë: një tjetër element që bën që sot, nga jashtë, Shën Sofia të krijojë përshtypjen se nuk është uniforme.
Diku rreth gjysmës së shekullit XVIII, nën presionin në rritje të klerit islamik, mozaikët e fundit legjendarë që paraqisnin Krishtin u zhdukën nën shtresat e suvasë dhe kaligrafive. Vetëm engjëjt me gjashtë krahë nën kupolë u lanë zbuluar: megjithatë, stukuesve iu desh t’u mbulonin fytyrat me kapuçë të artë për të respektuar traditën islamike që nuk lejon paraqitjen me fytyrë.
Më pas mori pushtetin Qemal Ataturku, kalifati u shfuqizua dhe në 1934 Shën Sofia u transformua në muze. Nisi një program i madh restaurimi. Për vite të tërë një skelë e gjatë 50 metra nuk lejonte të shihje kupolën.
Më në fund, që prej vitit 2010 shumë mozaikë janë sërish të lirë, madje edhe pamjet e egra dhe provokuese të engjëjve, që shohin nga lart vizitorët, në rojë të Shën Dijes. Eshtë e pashpjegueshme, por të gjithë thesarët e krishterë dhe islamikë të mbledhur në këtë vend të shenjtë sot të japin përshtypjen se janë kalibruar në mënyrë të përsosur mbi njëri-tjetrin prej krijuesve të ndryshëm, sikur të ishin një gjë e vetme, sikur njëri pa tjetrin nuk mund të ekzistojë.
Në asnjë ndërtesë tjetër dy besimet fetarë nuk bashkëekzistojnë në mënyrë kaq harmonike, në asnjë vend tjetër paraqitja krah për krah e kristianizmit dhe islamit nuk është kaq e gjallë sa në Shën Sofinë, e cila së afërmi do të mbushë 1500 vite. Ndoshta është pikërisht kjo mrekullia e vërtetë.

Related

Suplement 1713660761913868620

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

item