HAREMI / SEKRETET Këtu “luhej” për pushtet

Një mbretëri private, Stamboll, prill 1789. Ushtarë të përzgjedhur dhe turma kureshtare përgjatë rrugëve dredha-dredha. Më në fund, mbërrin...


Një mbretëri private, Stamboll, prill 1789. Ushtarë të përzgjedhur dhe turma kureshtare përgjatë rrugëve dredha-dredha. Më në fund, mbërrin procesioni: heronj dhe të pushtetshëm, të udhëhequr nga një dinjitar me peliçe të zezë dhe çallmë. Pas tyre marshojnë rojat. Shoqërojnë një karrocë luksoze të mbuluar, e tërhequr nga gjashtë kuaj dhe e ngarë nga kreu u eunukëve të haremit të sulltanit. Me kalimin e karocës, funksionarët e oborrit i hedhin monedha turmës. Pasojnë dhjetëra karroca të tjera. Kur karvani mbërrin në Topkapi, sulltani i ri Selimi III shkon drejt tij përmes atriumit të parë. Një dorë zgjatet nga karroca, sulltani e puth dhe përkulet. Më pas, ai shoqëron zonjën e haremit të tij në brendësi të pallatit: gruaja më e fuqishme e perandorisë otomane, më e rëndësishmja në jetën e Selimit, ashtu si në atë të të gjithë sulltanëve. Nëna e tij, Mihrishah Sultan. Çifti përshkon atriumin e dytë, drejt një porte druri të rëndë në krah të ndërtesës së këshillit perandorak. Kalon përpara dhomës së rojeve të eunukëve zezakë, më pas përshkon një kopësht të gjatë me muret majolikë dhe një kolonadë. Në fund hapet një derë e bronztë, përmes së cilës nuk duhet të kalojë asnjë qenie e seksit mashkull, përveç sulltanit, princërve dhe të tredhurve: hyrja në haremin e kopshtit të Topkapisë. Sulltani dhe nëna e sulltanit zhduken në mbretërinë e tyre më private.
Asnjë institucion tjetër otoman nuk ka ngacmuar më shumë fantazinë perëndimore se sa haremi i sovranëve: vend i lojërave erotike dhe mërzisë në luks, të intrigave me gjakderdhje që thureshin brenda Portës së Lumturisë. Haremi ishte të gjitha këto. Mbi të gjitha, ishte një qendër për mbrojtjen e pushtetit dinastik, me një hierarki të fortë dhe subjekt i ritualëve shumë të rëndë.
Që në lashtësi, sovranët persë dhe hebraikë kishin një harrem mbretëror, e më pas edhe kalifët e Bagdadit. Sulltanët otomanë ndoqën gjurmët e tyre, dhe këta u imituan gjithashtu prej njerëzve të pushtetshëm të perandorisë. Kush mund ta përballonte, zotëronte një harem pak a shumë të madh. Megjithatë, asnjëri nuk kishte të njëjtin prestigj si kopshti i Topkapisë.
Kur nëna e Selimit u transferua këtu, pas ngjitjes në fron të të birit, ambienti përbëhej nga më shumë se 300 lokale, korridore dredha-dredha, shkallare dhe shtigje të fshehtë; përfshinte sallone të bukur dhe salla të përshtatura për faljen, banja të mëdha, oborre të dekoruar dhe plot diell. Pragjet e dyerve, oxhaqet dhe lavamanët janë me mermer të shkëlqyeshëm, shtresa sedefi dhe fildishi zbukurojnë anët e dyerve, muret janë të veshur me pllaka të kushtueshme majolike. Gratë, sipas rangut të tyre ruajnë në kasketa dhe në gjoks spila dhe zinxhirë të florinjtë, xhevahirë, veshje me brokadë, damask apo mëndafsh. Kjo madhështi, megjithatë, është e kufizuar në dhomat e familjes mbretërore dhe të favoriteve, konkubina vecanërisht tërheqëse dhe zgjedhje të pëlqyera të sulltanit. Më shumë se gjysma e kompleksit të përshtatur si harem është e zënë nga fjetina, dhoma të ngushta, kuzhina dhe lavanderi, magazina dhe një infermieri. Këtu jeton shumica e banorëve të pallatit: të dashurat e mohuara, apo ato që nuk janë paraqitur ende tek Sulltani, bashkë me shërbyeset, shpesh herë me origjinë afrikane.
Duket se numri i vajzave dhe grave në zonën e veçuar ka arritur ndonjëherë në 1200: të gjitha skllave, që nga rrobalarësja, deri tek nëna mbretëreshë; nga pikëpamja ligjore, janë të lira vetëm bijat dhe motrat e solltanit dhe, në teori, gratë e tij. Megjithatë, prej shekullit XV pjesa më e madhe e 36 sovranëve otomanë nuk marrin grua, as Selimi III: sipas ligjeve islamikë, bijtë e lindur prej skllaveve kanë të njëjtat të drejta me ata të lindur prej martesës. Ndonjëherë vlen rregulli që çdo konkubinë mund të jetë nënë e një mashkulli të vetëm, kështu që shpesh Sulltani ka një numër të vogël bijsh. Përjashtim bëjnë sovranë si Murati III, i cili kishte 103: ditën kur vdiq, në 1595, jetonin ende 20 prej tyre, nga të cilët njëri u bë sulltan dhe vrau të gjithë të tjerët.
Luftërat për pushtet mes princërve ishin diçka e zakonshme. Mehmeti II, në shekullin XV, urdhëroi: “Çdo pasardhësi im, kur të bëhet sulltan, mund të vrasë vëllezërit e tij me qëllim ruajtjen e rendit të botës”. Duke filluar nga ky moment, vdekja e sulltanit sjell edhe vdekjen ep rincërve poshtë njëshit: sipas traditës, banditët e sulltanit të ri i mbysin me fijen e një harku apo me një shall mëndafshi sepse, që në fillesë, në pallat nuk duhej të derdhej gjak nga shtëpia mbretëruese. Edhe bijtë ende të palindur të një sulltani të vdekur nuk janë të sigurtë: më shumë se një herë, pasardhësi ka futur në thase dhe hedhur në detin Marmara konkubinat e mbetura shtatzënë të babait.
Sekrete dhe helmime
Haremi shndërrohet në skenën e intrigave të dëshpëruara. Një e preferuar që dëshiron të shpëtojë birin e saj duhet të sigurojë që ai të jetë pasardhësi. Por edhe për të, ka shumë në lojë. Nëse zhytet biri i saj, me ardhjen e sovranit të ri ajo veçohet në kopshtin e vjetër, “Pallati i lotëve”, ku konkubinat e skartuara kalojnë pjesën e mbetur të jetës në mjerim. Nëse i përzgjedhuri është biri i saj, ajo bëhet sulltane mëmë, sovrane e “Shtëpisë së lumturisë” në Topkapi. E si pasojë, edhe një prej figurave më të pushtetshme të mbretërisë, edhe pse nga pikëpamja juridike do të mbetet gjithmonë një skllave. Rreziku i përjetuar së bashku dhe shpresa forcojnë lidhjen nënë e bir.
Vetëm nëna e sulltanit mund të jetë në çdo moment në praninë e Sovranit. Është ajo që vendos se cilat gra do i prezantohen. Një vlerësim delikat: nëse konkubina nuk i pëlqen, djali zemërohet, nëse i pëlqen shumë, ajo bëhet konkurrente e “vjehrrës” në zotërimin e vëmendjes së tij.
Duke filluar nga fundi i shekullit XVI disa gra të haremit me një talent të veçantë arrijnë që të sigurojnë një influencë më të madhe: bëhen në fakt regjentë të perandoris. Kështu Nur Banu, e preferuara e Selimit II (sulltan nga 1566 deri në 1574) dominon sovranin e saj, nëpërmjet dobësisë së tij: një i dërguar venecian e përshkruan si një “qenie e vogël e skuqur prej verës së Qipros, dhe e shëndoshë për shkak të shfrenimit në të ngrënë”; Selimi i kalon ditët mes “kënaqësive të shqisave, dehjes dhe lezetit të të mos bërit asgjë”. Në fund, i dehur, thyen kafkën në mermerin e banjës. Nur Banu bëhet sulltania nënë dhe pengon birin e saj, si dhe konkubinën e tij ambicioze që të mbretërojnë, kështu thotë legjenda, duke i sjellë atij në shtrat femra gjithnjë të reja dhe tërheqëse, ndërkohë që ajo vetë bën politikë.
Regjentja otomane më me ndikim është Kësem, nënë e dy sulltanëve. Mbretëron si valide sulltan, nëna sulltaneshë, në vend të djalit të saj të madh që është minoren, dhe më pas në vend të të dytit, me probleme psikike. Është edhe regjentja e haremit që sheh dhe di gjithçka. Apartamentet e saj janë të mrekullueshëm si ata të sulltanit, ashtu si sulltani argëtohet me këngë dhe valle të shërbëtoreve, si dhe shakatë e xhuxhëve. Çdo lëvizje e artistëve dhe muzikantëve të seksit mashkull kontrollohet me rreptësi nga eunukët, të cilët pengojnë menjëherë çdo lloj afrimi me një grua.
Kësem, që ka raporte të vazhdueshëm me njerëz të pushtetshëm, mbikëqyret me rrëptësi dhe më nga afër se sa banoret e tjera të haremit. Çdo ditë Kësem konsultohet fillimisht me të birin, më pas shpesh herë me kreun e eunukëve zezakë, që merret me pasurinë e madhe të sulltaneshës nënë, mbledh shpesh herë vezirët e sovranit dhe funksionarë të tjerë. Asnjë vizitor nuk mund të shohë fytyrën e saj, e mbuluar me vello. Për të komunikuar udhëzimet e saj, Kësem shkruan letra të panumërta, duket një kuptim i thellë i mbretërisë dhe njohje e fakteve. Megjithatë, edhe më të rëndësishëm se sa takimet me funksionarët dhe letrat, janë të besuarit e saj. Kësem ka një rrjet të ngushtë kontaktesh: me ish gra të haremit që janë martuar me burra me ndikim, me zyrtarë, me bijat e saj, me konkubinat e të birit. Të gjithë i referohen asaj, të gjithë i thonë të bëjë kujdes nga tradhëtitë. Megjithatë, kjo nuk shmang fundin e saj të dhnshëm. Sovrani i Kësem, Ahmeti I, në fron nga 1603 deri në 1617 ish përpjekur t’u jepte fund vëllavrasjeve duke krijuar disa “kafazë për princërit”, lokale me dritare hekuri në brendësi të një ndërtese si fortesë, ku bijtë e sulltanit mbahen të izoluar, me shërbëtorë, femra dhe lukse të tjerë, por pa kontakte me botën jashtë. Në këta burgje, pasardhësit e mundshëm për fronin transformohen në njerëz të paqëndrueshëm psiqikisht, të mbërthyer nga frika e përhershme për litarin që do i mbysë. Sepse intrigat dhe vrasjet vazhdojnë. Në fakt, në 1648, djali i dytë i Kësem rrëzohet prej një revolte në pallat. Pasi e kanë tërhequr në suitën e saj, eunukët e zhveshin dhe e rrëmbejnë Kësemin, e tërheqin zvarrë jashtë dhe e mbysin në oborr. Porositësja është sulltania nënë e re, Turhan, e cila tani do të mbretërojë në vend të djalit minoren Mehmeti IV, nip i Kësemit.
Fuqia e eunukëve
Për të ushtruar ndikimin e tyre nga haremi, gratë e fuqishme thërrasin vartësit në një sallon zyrtar ku, të fshehura bashkëbisedojnë me funksionarë dhe dinjitarë. Në mënyrë më pak zyrtare, transmetojnë në fshehtësi mesazhe sekretë duke blerë besnikërinë me veshje dhe xhevahirë. Në këtë kontekst, skllevërit e pallatit që bëjnë lirisht lidhjen mes haremit dhe botës së jashtme, përbëjnë një fuqi më vete: eunukët.
Që nga 1591, ruajtja e haremit është detyrë ekskluzive e eunukëve zezakë. E kanë pothuajse gjithmonë prejardhjen nga Sudani apo Etiopia, dhe rekrutohen në mënyrë barbare: djem mes tetë dhe 12 vjeç rrëmbehen dhe tridhen nga kristianë apo hebrenj (Islami ndalon besimtarët e tij të tredhin njerëz apo kafshë). Tredhësi ndan penisin dhe testikujt, ndalon hemorragjinë, sterilizon plagën dhe ndalon bllokimin e kanalit urinar. Një fëmijë në tre i mbijeton procedurës, procesit të shërimit, që zgjat edhe me muaj, si dhe vuajtjeve urinare. Ata që ia dalin janë një pasuri e vërtetë për tregtarët: vetëm familjet më fisnike mund t’i lejojnë vetes shërbyes të tredhur. Për Topkapinë blihen me qindra.
Eunukët e moshuar u mësojnë të rinjve gjuhën kombëtare dhe fenë. Të rinjtë mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të bëjnë hesape, dhe i nënshtrohen stërvitjes ushtarake. Më pas, në bazë të talentit dhe aftësive, shërbejnë në rojën e pallatit apo si shoqërues personalë të një anëtari të familjes mbretërore apo një të preferuare. Më të aftit mund të arrijnë pozicione me ndikim në administratën e haremit; komandanti i tyre është një prej njerëzve më me pushtet, më të informuar dhe më të korruptuar të sulltanatit: është anëtar i këshillit shtetëror, komandon rojat, kontrollon formimin e sulltanëve të mundshëm në burgjet e princërve, kryen detyrën e inspektorit për fondet për qytetet e shenjtë të Mekës dhe Medinës. Nëse u mbijeton intrigave të oborrit, ku eunukët me ngjyrë luajnë shpesh një rol kyç, në fund mund të kërkojë lirimin e tij për t’i kaluar vitet e fundit të jetës si njeri i pasur.
Eunukët nuk bëjnë vetëm rojë në hyrje të haremit dhe në apartamente, kontrolli i tyre ushtrohet edhe brenda. Haremi është si një bërthamë gjigande familjare, ku duhet të mësohen shërbyesit, të bëhet shoqërimi dhe ku duhet të bësh të mundur që të dalin hesapet. Si dhe të ruash një disiplinë të hekurt. Hierarkia është e fortë, ceremoniali i ngurtë, mosbindja ndëshkohet me të rrahura me shkopinj: skllavet që kryejnë marrëdhënie homoseksuale apo tentojnë të afrohen me eunukët rrezikojnë ndëshkimin fizik ose vdekjen. Nëse sulltanesha nënë dhe krerët e eunukëve janë në kërkim të vajzave të duhura për sovranin, skllavet e thjeshta largohen sapo ata afrohen: asgjë nuk do ishte më e papëlqyeshme se sa një takim informal.
Seksualiteti në harem menaxhohet me një rreptësi të lartë. Natën sulltani pret një grua që për këtë qëllim është depiluar, parfumosur dhe zbukuruar. Konkubinat e para kanë të drejtë për një numër të vogël netësh. Disa sovranë lëshohen edhe në shthurje, ndonjëherë edhe homoseksuale, por jashtë dalin vetëm zëra, që pikërisht në këta raste i garantojnë kontrollin sulltaneshës nënë. Është ajo që komandon imazhin e të birit, edhe në rastin e ceremonive ku sovrani merr pjesë.
Sulltanesha Kësem shfaqet madje edhe para popullit, në rastet e ceremonive në xhami apo udhëtimeve. Gjithnjë me fytyrën mbuluar, në karrocën e artë, por e pranueshme për të gjithë si zonja e tyre. Ndonjëherë turma njerëzish rrethojnë karrocën, në kërkim të bekimit.
Pasuria e mbretëreshës ka burime të ndryshëm: një shpërblim i përditshëm, që vit pas viti e bën milionere; pasuritë e mëdha të kurorës, tepricat e të cilave mbërrijnë në arkat e saj. Shtëpi në Stamboll, me qira shumë të lartë. Gratë e sulltanit mund të zgjedhin lirisht si të përdorin pasurinë e tyre, edhe pse pritet që pasurinë e tyre ta shfrytëzojnë për të mirën e mbretërisë. Kësem, për shembull, porosit ndërtimin e një xhamie në Stamboll (në qytet, mes viteve 1550 dhe 1700 pjesa më e madhe e tempujve financohen nga gra), të banjove publike dhe një hoteli të madh. Mbështet institucione socialë dhe fetarë, furnizon me ujë pelegrinët e nisur për në Mekë dhe një herë në vit u shpërndan nevojtarëve këmisha, mbulesa dhe çallma. Dhuron prikën për të rejat jetime që përndryshe nuk kanë mundësi të gjejnë burrë. Pas dy apo tre viteve shërbim liron skllavet e saj dhe u siguron jetesën.
Të burgosura ballkanike
Duke qenë se Islami ndalon skllavërimin e myslimanëve, shërbyeset që nuk kanë liri vijnë mbi të gjitha nga provincat ballkanike të fesë së krishterë. Veç kësaj piratët sulmojnë anijet në kërkim të pasagjereve tërheqëse. Luftëtarët fitimtarë marrin si pre bijat e të mundurve. Tregtarët e skllaveve sjellin gjeorgjiane dhe ruse nga Kaukazi. Ndonjëherë janë vetë prindërit që japin bijat e shpresën që haremet e metropolit do të ofrojnë një të ardhme më të mirë se sa vendlindja e tyre.
Vetëm vajzat shumë të bukura dhe të gjalla hyjnë në shtëpinë më elegante, haremi i Topkapisë. Mbërrijnë kur janë gjashtë deri 13 vjeçe, fillimisht u ngarkohen detyra të përditshme, mësojnë gjuhën dhe diktatet e fesë islamike, manierat e mira dhe sjelljen në oborr.
Gjithmonë nën mbikëqyrje të rreptë. Nëse shfaqin talent, promovohen: ato më të aftat në kaligrafi shkojnë në qendrat e kopjimit, ata më të prirura për muzikë marrin mësime kënge dhe valleje dhe mësojnë si t’i bien një instrumenti. Të përzgjedhurat mësojnë të shkruajnë letra dashurie plot lule dhe poetike, si dhe të ëndërrojnë që një ditë të munden të bëjnë një jetë mes luksit si konkubina apo edhe të bëhen sulltane nëna. Pjesa më e madhe e vajzave nuk do thirret asnjëherë në pjesën e haremit të rezervuar për sovranët. Pas disa vitesh shërbim fitojnë lirinë bashkë me një prikë që do u shërbejë për një martesë të kombinuar. Apo mund të vendosin të qëndrojnë në këtë ambient që për to është i njohur dhe relativisht i sigurtë: sepse kush luan me dinakëri brenda mureve të Topkapisë bën karrierë dhe arrin të veshin rroba të kushtueshme, xhevahirë të mëdhenj, të kenë një dhomë krejt të sajën dhe madje edhe disa shërbyese.
Kur në vitin 1789 Mihrishah, nëna e Selimit III, merret me pompozitet nga Pallati i Lotëve, kjo botë është pranë një ndryshimi radikal. Ushtritë e fuqive evropiane përballen me otomanët pothuajse në të gjithë frontet, perandoria rrezikon të shpërbëhet nëse nuk modernizohet, mbi të gjitha nga këndvështrimi ushtarak.
Selimi III është i pari i një serie sulltanësh që e kupton situatën dhe nis reformat. Për fat të keq, atij nuk i shërben aspak. Trupat e zgjedhura të tij, që janë kundër reformave, e rrëzojnë në 1807.
Gjatë shekullit XIX forca të armatosura, administrata shtetërore dhe drejtësia pësojnë përshtatje të vazhdueshme sipas nevojave të reja të kohës, edhe oborri mbretëror transferohet në pallate madhështorë mbi Bosfor, e bashkë me të edhe haremi. Më pas, mes viteve 1908 dhe 1909, revolucionarët turq i japin praktikisht fund monarkisë. Sulltani Abdyl Hamidi II detyrohet të heqë dorë nga froni, kreu i urryer i eunukëve varet nga turma në urën e Gallatës, skllavet dhe eunukët e gradëve më të ulëta përfundojnë në mes të katër rrugëve. Disa gra kthehen në familjet e tyre, të tjera jepen për nuse apo gjejnë punë si shërbyese, ato më pak fatlumet ekspozohen si formë argëtimi në qytetet e mëdhenj evropianë bashkë me indiane dhe eskimeze. Vetëm pak prej tyre mund të kthehen në haremin e vjetër të Topkapisë. Në fund, edhe këto duhet të largohen: pallati transformohet në muze, që në 1924, dy vjet pas shpaljes së republikës, hap dyert për kureshtarët nga e gjithë bota.
Fundi i tmerrshëm i Kësem
Valide sulltania e fundit ishte grekia Kësem, e lindur me emrin Anastasia dhe bashkëshorte e Ahmetit I, bir i Mehmetit III. Kësem pati aftësinë të kushtëzonte marrjen e pushtetit nga kunati Mustafa si dhe të siguronte njëkohësisht mbijetesën e bijve Murat dhe Ibrahim, falë korrupsionit dhe ndikimit të saj personal. Është e vërtetë që ligji vëllavrasës ndërkohë ishte shfuqizuar, por në çdo kohë ai mund të risillej, duke sjellë asgjësimin e vëllait. Në fakt ishte ende i gjallë kujtimi kur, pas hipjes në fron të Mehmetit III, në 1595, plot 19 kufoma princërish u larguan nga pallati në zbatim të ligjit vëllavrasës. Kur i erdhi radha të mbretërojë Ibrahimit I, ky rezultoi, siç ka thënë historiani anglez Jason Goodwin “më i marri mes sovranëve të kësaj familje gjithnjë e më të marrë dhe patologjike”. Çrregullimet që pllakosën shumë princër dhe sulltanë, duke filluar nga Selimi II (epiteti i të cilit ishte Pijaneci) mund të shpjegohen me rivalitetin e pamëshirshëm të oborrit më shumë se sa me ndërrimin e munguar të gjakut tipik në monarkitë perëndimore, çiftëzimet në të cilat ndodhnin në brendësi të një rrethi të ngushtë familjesh mbretërore. Në të kundërt, sovranët otomanë shumë pak gjëra turke kishin: gjak gjithnjë i freskët futej në familjen mbretërore përmes konkubinave që vinin nga çdo anë. Një studim autoritar i kryer në fillim të shekullit XX ka nxjerrë që në venat e Mehmetit V nuk kishte më as një të një miliontën pjesë gjak turk. Pas rrëzimit dhe ekzekutimit të Ibrahimit I (8 gusht 1648), një luftë shumë e fortë vuri përballë valide sulltan Kësemin dhe Hatixhe Turhan, nënë e Sulltanit të ri Mehmeti IV. Fitoi e dyta. Kësem, nënë e dy sulltanëve humbi përgjithmonë ndikimin e saj mbi pushtetin. Por edhe jetën. Në 1651, e zhveshur nga rrobat dhe bizhutë, e lënë ashtu lakuriq, u tërhoq zvarrë nga këmbët dhe u lidh me një litar. Më 15 shtator 1656 Mehmeti IV, apo më mirë nëna e tij Hatixhe Turhan emëroi vezir të madh energjikun Mehmet Koprulu, pasi sulltani i pavend ia kish dhënë detyrën një furrtari. Ishte fillimi i një periudhe më shumë se 20-vjeçare stabiliteti dhe qeverisjeje, si dhe restaurimi të prestigjit të shtëpisë së Osmanëve: ishte pra drita në fund të tunelit. Edhe një herë kish qenë një grua, në të mirë e në të keq, që kishte vendosur fatet e perandorisë otomane.

Related

Suplement 1899628015651367334

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

item